Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten (17.06.) me një shumicë prej dy të tretash rezolutën që njeh dhe dënon gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, në të cilën u vranë më shumë se 8.000 boshnjakë. Përmes kësaj rezolute, e cila edhe ndalon mohimin publik të ekzistencës ose relativizimin e këtij gjenocidi, 11 korriku shpallet gjithashtu dita e përkujtimit të viktimave të Srebrenicës.
Për miratimin e rezolutës, të cilën e kërkoi opozita, votuan 55 deputetë, 40 nga opozita por edhe 15 nga maxhoranca, kundër ishin 19 nga Fronti Demokratik në pushtet, 7 abstenuan. Pro ishin edhe URA dhe demokratët nga maxhoranca, pas miratimit të korigjimit të tyre, se faji për krimet në luftërat e viteve 1990 nuk mund t’i atribuohet asnjë kombi, por është individual.
“Besoj se kemi dërguar një sinjal të qartë se Mali i Zi është qendra e demokracisë në rajon”, tha udhëheqësi i partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviç, ndërsa kreu i komunitetit islamik të Malit të Zi Rifat Fejziç tha se mbështetja e dy të tretave për rezolutën e genocidit të Srebrenicës forcon besimin në një të ardhme më e ndritur dhe se një Mal i Zi i tillë ecën në rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian. Rezolutën e përshëndetën edhe politikanët drejtues në Sarajevë. Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Herzegovinës, Zeljko Komshiç, tha se ky ishte një akt civilizimi dhe se Bosnjë-Herzegovina dhe Serbia duhet të bënin të njëjtën gjë. Në të njëjtën kohë rezoluta u dënua ashpër në Serbi.
Milan Radoviç i organizatës joqeveritare Aleanca Qytetare nga Podgorica, e cila prej vitesh merret me krimet e luftës, tha për DË se miratimi i rezolutës për Srebrenicën në Mal të Zi është i rëndësishëm para së gjithash për shkak të viktimave dhe pajtimit në vend dhe në rajon.
“Megjithatë, edhe pse e kemi miratuar këtë rezolutë, duhet akoma për të shlyer borxhin ndaj viktimave dhe për të vënë në pah dinjitetin e tyre, vuajtjet e familjeve të tyre dhe për të krijuar garanci, se mizori të ngjashme nuk do të ndodhin më.” Na duhet vullneti politik, por edhe gatishmëria e institucioneve gjyqësore, që më në fund të fillojnë me përgjegjësi e vërtetësi hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për krimet e luftës. Në këtë kontekst, është e nevojshme të ndriçohet edhe roli i Malit të Zi për Srebrenicën dhe që faktet rreth Srebrenicës të bëhen pjesë e procesit të rregullt arsimor”, thotë Radoviç.
A do të vazhdojë mohimi i genocidit?
Miratimin e rezolutës e mundësoi Partia opozitare Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cila me këtë rast u kthye në parlamentin që e bojkoton. Deputeti i kësaj partie, Andrija Nikoliç, tha se me hapin e tyre “i ruajtën fytyrën Malit të Zi përpara botës demokratike”. Kundër rezolutës ishin deputetët e Frontit Demokratik në pushtet, të cilët nuk pranojnë që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Ata kërkuan që rezoluta të dënojë të gjitha krimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe ish-Jugosllavi, si dhe që termi gjenocid të fshihet, sepse ata pretendojnë se me të bëhet dallim midis viktimave, por edhe se i vihet faji në mënyrë të padrejtë për krime vetëm popullit serb. Propozimet e tyre për ndryshime u refuzuan. Partia Boshnjake tha se miratimi i rezolutës, si dhe vendimi gjyqësor kundër Ratko Mlladiçit, do të jenë paralajmërim për ata, që mohojnë publikisht genocidin në Srebrenicë, që të pranojnë faktet e konfirmuara. Edhe Radoviç shpreson që kjo rezolutë do t’i japë fund përpjekjeve për të mohuar apo relativizuar genocidin.
“Duke pasur parasysh atmosferën që ka karakterizuar Malin e Zi muajt e fundit lidhur me çështjen e (mos)pranimit të gjenocidit në Srebrenicë, duket se ndalimi i mohimit të tij ka qenë i nevojshëm. Narrativa e disa politikanëve ka qenë deri tani absolutisht e papranueshme, mbi të gjitha kur Mali i Zi ka pranuar të gjitha vendimet e gjykatave ndërkombëtare, edhe politikanët dhe përfaqësuesit e qeverisë janë të detyruar të kultivojnë të njëjtat vlera dhe të respektojnë këto vendime”, tha Radoviç.
Fakti që opozita por edhe një pjesë e qeverisë votoi rezolutën tregon rëndësinë e saj, mendon Radoviç.
“Ky ka qenë një hap i domosdoshëm për një shoqëri, që përpiqet për vlera demokratike dhe të vërteta, respektimin e të drejtave ndërkombëtare humanitare, por më e rëndësishmja nga të gjitha – respektimin e mijëra viktimave, për të cilat kjo rezolutë u miratua”, thotë Radoviç.
Shkarkohet ministri për shkak të Srebrenicës
Po në të njëjtën seancë parlamenti me votat e opozitës dhe të 4 deputetëve të koalicionit në pushtet URA “E zeza në të bardhë” e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç, shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç. Atë e “rrëzoi” pikërisht Srebrenica, deklarata e tij rreth tre muaj më parë, kur i pyetur në parlament nga deputeti i DPS Andrija Nikoliç, tha se nuk e pranonte, që në Srebrenicë të kishte ndodhur genocid. Shkarkimi u kërkua nga kryeministri Zdravko Krivokapiç, ndërsa Fronti Demokratik doli në mbrojtje të Leposaviçit. Për shkak të shkarkimit të Leposaviçit kulminoi kriza disamujore e pushtetit dhe qeverisë, sepse Fronti Demokratik bëri të ditur se do të bojkotojë parlamentin dhe të kërkojë një marrëveshje të re lidhur me qeverisjen me Krivokapiçin, demokratët dhe URA-n. Meqë DPS e bojkoton parlamentin, ai tani është bllokuar, sepse nuk do të ketë kuorum për marrjen e vendimeve.
“Ndodhi mashtrimi i madh i votuesve dhe u formua një koalicion joparimor i DPS dhe pjesëve të qeverisë së Malit të Zi. Tani ne po e kthejmë situatën në zero dhe po kërkojmë një marrëveshje të re. Ne ju përshëndesim dhe qofshi të lumtur me DPS”, u tha kolegëve të partive në pushtet deputeti i Frontit Demokratik (DF) Slaven Radunoviç.
Udhëheqësit e DF Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç shkuan edhe një hap më tej. Mandiç tha se kërkojnë një qeveri të re pa Krivokapiçin ose zgjedhje të jashtëzakonshme dhe e quajti rezolutën për Srebrenicën “të turpshme dhe tradhtare”, ndërsa Knezheviç i kërkoi falje Serbisë dhe popullit serb sepse, siç tha ai, “asnjë nga qytetarët, që votuan për ndryshimet në Malin e Zi dhe kundër Milo Gjukanoviçit, nuk mund ta kishin menduar se një pjesë e shumicës parlamentare do ta shpallte Serbinë dhe popullin serb genocidal”.
Gazetarja e rubrikës politike të së përditshmes Vijesti, Biljana Matijasheviç beson se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë reale tani, sepse DPS padyshim që do të kthehej në pushtet, gjë që nuk i shkon për shtat askujt në shumicën parlamentare, por Mali i Zi po hyn në një periudhë të bllokadës institucionale.
“Kemi nga njëra anë koalicionin më të madh në maxhorancë Frontin Demokratik (DF), i cili do të bojkotojë parlamentin dhe DPS, që e bojkoton ndërkohë parlamentin. Pra, asgjë nuk do të jetë në gjendje të miratohet në parlament, kemi një bllokadë të plotë. DF tani bën përsëri presion, por nuk ka për ta paraqitur në parlament kërkesën për shkarkimin e kryeministrit Krivokapiç, sepse do të duhej ta zevëndësonin DPS-in, ashtu si pjesa tjetër e maxhorancës e largoi Leposaviçin dhe miratoi rezolutën për Srebrenicën me këtë parti”, shpjegon Matijasheviç. /DW