Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se, me miratimin e projektligjit për të huajt do të bëhet një hap cilësor përpara në drejtim të menaxhimit të migracionit të parregullt, duke qenë në një linjë edhe me paktin e ri të migracionit dhe azilit të BE-së.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit ku po shqyrtohet pr/ligji “Për të huajt”, Çuçi tha se, “ky pr/ligj adreson si një nga mangësitë e legjislacionit të mëparshëm duke integruar pajisjen me leje pune dhe qëndrimi në një dokument të vetëm, pra në atë që do quhet leje unike. Kështu ne garantojmë një procedurë të vetme të aplikimit për të huajt që kanë për qëllim të punojnë dhe qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
“Shtetasit e huaj që kërkojnë qëndrim për arsye punësimi ndërmjet këtij ligji do t’i drejtohen vetëm një sporteli të migracionit dhe duhet të dorëzojnë vetëm një dosje me dokumente”.
“Risi tjetër është se për shtetasit e SHBA dhe BE-së dhe për shtetasit e Kosovës, kur aplikojnë për herë të parë ne parashikojmë lëshimin e lejes unike të qëndrimit me afat 5 –vjeçar menjëherë, me të drejtë rinovimi më vonë me leje qëndrimi të përhershme, diçka që më parë nuk ka ekzistuar”, tha Çuçi.
Çuçi nënvizoi se, ky legjislacion ka dhe sfidat e veta dhe ai renditi, “përmirësimin e fushës së të drejtave të të huajve në drejtim të mbrojtjes së emigrantëve dhe anëtarëve të tyre të familjes, refugjatëve, azilkërkuesve si dhe parashikimin e programit të integrimit për të huajt. Parashikohet përmirësimi i marrjes së informacionit. Procedura të lehtësuara për t’u pajisur me leje qëndrimi. Si edhe forcimi institucional i ofrimit të shërbimeve për emigrantët”.
Sa i përket përfituesve, Çuçi tha se, “për herë të parë ky pr/ligj u jep mundësinë e pajisjes me leje qëndrimi disa kategorive të reja të të huajve që nuk kanë qenë të parashikuara më përpara në legjislacionin e mëparshëm. Për shembull kategoritë e personave pa shtetësi, duke garantuar standarde për lëshimin e lejes së qëndrimit e duke përmbushur kështu të drejtën për qëndrimin e ligjshëm konform Konventave Ndërkombëtare”.
Së dyti, theksoi Çuçi, “kategoria e punonjësve lëvizës apo ato që quhen nomadët dixhitalë, të cilët janë shtetas të huaj që punojnë nga distanca, ku instrument kryesorë pune kanë mjetet e teknologjisë së informacionit. Pajisja e tyre me leje qëndrimi si punonjës lëvizës do të synojë tërheqjen e tyre në Shqipëri, duke marrë në konsideratë numrin në rritje të të huajve që punojnë me internet në distancë, për kompanitë me bazë në vende të tjera si dinamikë e zhvillimit global të punësimit, e evidentuar kjo veçanërisht gjatë dy viteve të fundit të pandemisë”.
“Një kategori tjetër janë kategoria e pensionistëve të huaj, të cilët sigurisht do të shprehin dëshirën për të jetuar në Shqipëri, duke u siguruar mundësinë ëpr të aplikuar për një leje qëndrimi për pensionistë pranë autoriteteve shtetërore për migracionin, nëse preferojnë sigurisht vendin tonë si një destinacion për të jetuar”, tha Çuçi.
“Kategori tjetër është kategoria e të huajve që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. Dhe sigurisht u ofrohet një lehtësi për të gëzuar dhe disponuar pronën. Kjo është një kategori në rritje e të huajve, e cila deri më tani nuk ka qenë e rregulluar nga ligji, por që përbën investim serioz në tregun e pasurive të paluajtshme”, theksoi Çuçi.