Presidenti rus Vladimir Putin duket se ka mbetur i impresionuar nga takimi i tij me homologun amerikan Joe Biden, ndërsa e ka komplimetuar sërish sot. Putin e vlerësoi sot Presidentin e SHBA Joe Biden për profesionalizmin pasi u kthye në Rusi nga Gjeneva pas takimit të tij të parë me shefin e Shtëpisë së Bardhë. Putin ka thënë se atmosfera në bisedime ishte miqësore. Presidenti rus gjithashtu deklaroi se Biden e di se çfarë dëshiron, përpiqet të arrijë atë që dëshiron dhe vepron me shkathtësi, përcjell abcnews.al.

Vladimir Putin, duke folur në një konferencë në Moskë tha se imazhi i Biden i paraqitur nga media ruse dhe amerikane nuk kishte asnjë lidhje me realitetin. “Imazhi i Presidentit Biden i krijuar nga ne dhe shtypi amerikan nuk ka asnjë lidhje me realitetin,” tha Putini, duke shtuar se Biden është profesionist. “Duhet të punosh me të me shumë kujdes, në mënyrë që asgjë të mos të shpëtojë. Ai, ju siguroj, nuk i mungon asgjë, ” ka shtuar Putin.

“Biden është i përmbajtur, vepron me mjeshtëri. Është i organizuar, i e kupton atë që dëshiron të arrijë dhe vepron me shumë shkathtësi në bisedën e drejtpërdrejtë”, tha Putini.

Presidenti rus theksoi se shpreson që të punojë i qetë me Biden. Duke iu referuar atmosferës në samitin e Gjenevës, Putin tha se besonte se arritën të kuptonin njëri-tjetrin për çështjet kryesore. “Atmosfera ishte mjaft e mirë. Unë mendoj se ne ishim në gjendje të kuptonim njëri-tjetrin, të kuptonim pozicionet tona për çështje të rëndësishme, të cilat janë shumë të ndryshme “, tha Putin.

Ndërkohë, dje pas mbarimit të samitit, në konferencën për shtyp që mbajti në Gjenevë, Putin e cilësoi Biden si “burrë shteti me përvojë” dhe sipas tij ishte shumë ndryshe nga Donald Trump.