Nismat e qeverisë për nxitjen e agroturizmit kanë stimuluar ngritjen e sipërmarrjeve të reja në fshat. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga një agroturizëm i shumëkërkuar i vendosur mes maleve të Leskovikut.

“Mirëmëngjes dhe me këto bukuri magjepsëse mes maleve të Leskovikut, ku agroturizmi Max Mavrud është kthyer në një destinacion i shumëkërkuar, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Qeveria ka ulur në 6% pagesën e TVSH-së për hotelet, bizneset turistike dhe në agroturizëm, duke u dhënë frymëmarrje sipërmarrjeve të sektorit me synim nxitjen e turizmit dhe të punësimit. Kthimi masiv i shtëpive në fshat, në bujtina mbetet një nga prioritetet kyçe të qeverisë dhe mbështetja e emigrantëve mbi një shumë të caktuar, do të jetë pjesë e Planit të Veprimit 2021-2025. Nisma e qeverisë për nxitjen e agroturizmit parashikon akordimin e 5 mijë eurove për çdo emigrant që investon kursimet e veta në fshat për të ngritur sipërmarrje agroturizmi. Agroturizmi hyn tek sektorët më të stimuluar dhe me më shumë zhvillim vitet e fundit, duke gjeneruar të ardhura dhe punësim.