Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zhvilloi sot një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, ku raportoi mbi veprimtarinë e këtij komisioni për vitin 2020. Celibashi tha se “KQZ në veprimtarinë e saj për vitin 2020 ka mbajtur në vëmendje të gjitha rekomandimet e Kuvendit, ndërsa shtoi se veprimtaria e KQZ-së është e lidhur ngushtë edhe me zhvillimet politike në kuadër të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor”. “Fillimi i vitit 2020 ishte i kufizuar nga pandemia, ndërkohë në vijim veprimtaria e KQZ-së ishte intensive për përgatitjen e zgjedhjeve të prillit 2021. Në tërësi veprimtaria e KQZ-së ndahet në dy periudha atë janar-tetor dhe tjetra në tetor-dhjetor 2020. Pas tetorit 2020, institucioni ka një konfigurim tjetër dhe teknikisht KQZ përfaqëson sot një institucion të ri, të përbërë nga 3 struktura”, tha Celibashi.

Ai theksoi se “në periudhën e parë, pjesën më të madhe të veprimtarisë e zënë aktet që kanë të bëjnë me dekriminalizimin, si dhe me raportet financiare vjetore të subjekteve politike që morën pjesë në zgjedhjet vendore 2019”. Ndërkohë, sipas Celibashit periudha tetor-dhjetor 2020 fokusohet te përgatitjet intensive për zgjedhjet e 25 prillit 2021. “Në vlerësim të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, KQZ hartoi një plan veprimi për këto zgjedhje. Ndryshimet e shumta të Kodit Zgjedhor vetëm 7 muaj para zgjedhjeve sollën një dinamizëm më të lartë të procesit administrativ të institucionit të KQZ-së në përgjithësi.
Në gjithë procesin përgatitor të zgjedhjeve të 25 prillit veprimtaria e KQZ-së ka qenë tërësisht transparente”, tha Celibashi.

Pavarësisht kohës së limituar, Celibashi theksoi se “KQZ ja doli të aplikojë teknologjinë në zgjedhje me identifikimin elektronik të zgjedhësve, vendosjen e kamerave në qendrat e votimit dhe aplikimin e projektit pilot për votimin elektronik”. Celibashi theksoi se KQZ koordinoi ngushtë me qeverinë, posaçërisht me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për të siguruar financimin e plotë sipas kërkesës që diktonte Kodi Zgjedhor, të infrastrukturës zgjedhore. “Buxheti i shtetit financoi projektin e identifikimit elektronik, projektin pilot të votimit elektronik, vendosjen e kamerave në qendrat e votimit dhe gjithë aspektet e tjera kryesore”, tha Celibashi.

Në përfundim, ai theksoi se KQZ gjatë vitit 2020 përmbushi të gjitha detyrimet e ngarkuara nga Kodi Zgjedhor lidhur me veprimtarinë që duhet të kryente për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit 2021.

Ndërkohë, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri vuri në dukje se reforma zgjedhore imponoi një sërë masash që adresuan shqetësime të karakterit politik të opozitës si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it apo organizatave të tjera ndërkombëtare”. “Në 2020, KQZ kishte punë të rëndësishme me shumë sfida. Ne nuk arritëm ta krijojmë KQZ në kohë por vetëm në tetor 2020. Kjo e ngarkoi KQZ me një sfidë të madhe para. Në një kohë të shkurtër KQZ arriti të miratojë pjesën më të madhe të akteve për zgjedhjet”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri vuri në dukje se në dispozicion të zgjedhjeve 2021 u vendos një buxhet i jashtëzakonshëm, më i madhi i dhënë për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri”. “Shqetësimet e opozitës u adresuan të gjitha. Kemi një buxhet prej 16-17 milionë euro për zgjedhjet, një buxhet i madh ky sidomos në kohë pandemie dhe post-tërmet, por kjo u bë me një qëllim, që të evitoheshin pretendimet e opozitës për administrimin zgjedhor”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë ai theksoi rëndësinë e depolitizimit të administratës zgjedhore, si hapi i radhës i reformës zgjedhore, kjo sidomos në kushtet e aplikimit të teknologjisë në zgjedhje”. Po ashtu, Gjiknuri tha se ka ardhur momenti që të fillohet me garantimin e votës së emigrantëve. “Tashmë KQZ ka kohën e mjaftueshme dhe Kuvendi duhet të bëjë një kërkesë lidhur me hapat që do të ndjekë KQZ për këtë proces, që është një premtim i klasës politike shqiptare”, tha Gjiknuri.