Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor paralajmëroi të gjithë shoferët se nuk mund të kalojnë kolaudimin në asnjë mënyrë, nëse i kanë mjetet e dëmtuara.
Në “Facebook”, DPSHTRR publikoi foto të disa makinave me probleme dhe tha se nëse qarkullohet kështu në rrugë, do të ketë masa të rrepta për drejtuesit.
“Deri dje ja gjenin anën! Sot NGEL! NUK KALON KOLAUDIMIN! ❌⭕️⛔️? Këto parregullsi të rënda, disa prej tyre edhe në sistem drejtimi të mjetit, në goma, disa me rrezik për pasagjerët, për shikimin apo sistemin e dritave, për ambientin, për të tretët, shumica shkak për rrezik për mjetet e tjera në qarkullim apo për aksidente me pasoja, të gjitha për neglizhencë e moskokëçarje, moskujdes i gjatë mirëmbajtjeje mjeti, ju ngarkojnë me përgjegjësi! Riparoni mjetet rrugore në afatet ligjore! ⚠️‼️ DPSHTRR, Policia Rrugore dhe Task Forca e Transportit Rrugor – MIE do të jenë pengesë e pakalueshme për këto raste skandaloze – deri në ndalimin përfundimtar të qarkullimit dhe masa të rënda për poseduesit e këtyre mjeteve nëse konstatohen në këtë gjendje në qarkullim.”