Një ditë pasi në 14 qendra të kontrollit teknik në të gjithë vendin rinisi puna, kryeministri Edi Rama, ishte në Laç, në godinën e re të DRSHTRR, ku kryhen mbi 110 mijë shërbime në vit për 54,209 drejtues automjetesh.
Puna ka filluar me mjetet shtetërore si ambulancat apo makinat e policisë, të cilave u është dhënë përparësi për shkak të sigurisë që duhet të ofrojnë si dhe mjetet e tonazhit të rëndë ose kamionët, të cilëve u nevojitet certifikata për udhëtimet jashtë vendit
Sipas kryeministrit, qytetarët do përballen me një ndryshim rrënjësor të këtij shërbimi.
“Ndërkohë prej ditës së djeshme ka nisur shërbimi publik i kontrollit të mjeteve, pas dhënies fund të konçesionit rraskapitës e korruptiv, që torturoi me vite drejtuesit e automjeteve. Sipas një kalendari të mirëorganizuar përmes shërbimeve online dhe fizikisht të automjeteve, drejtuesit e automjeteve do të prekin një ndryshim rrënjësor në cilësinë e shërbimit”, shkruan Rama në tekstin bashkangjitur videos në rrjetet sociale.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, paralajmëroi se me përfundimin e kolaudimit të flotës shtetërore, ky autoritet do të jetë më i ashpër me qytetarët e thjeshtë.
“E mira nuk ka fund po nëse ruajmë tarifat dhe rrisim standartet, do jemi të sigurtë edhe me flotën në rrugë, por do të jemi me dorë më të fortë, pra do kemi një sjellje tjetër.
E kemi thënë, do ta fillojmë nga vetja, nga shteti sepse flotat publike janë ato që sot kanë problemet më të mëdha, flotat komunale të bashkive shpesh na paraqisin problemet më të mëdha.
Ta nisim nga vetja të japim shembullin që ne dimë të korrigjojmë flotat tona një herë pastaj pastaj te jemi më të ashpër dhe me ata”, tha Gonxhja.