Nga Ylli Pata/ Ka një ndryshim cilësor dhe sasior kompeticioni brenda PD-së që mbahet më 13 qershor, edhe pse nuk mund të quhet një garë e barabartë.
Ndryshe nga viti 2017, ku pasi kishte spastruar partinë nga figurat e rëndësishëm të partisë, e pranë tij pati një establishment që vinte nga pushteti apo edhe emra që ishin “bukë” për ta mbrojtur në opinionin publik e panelet televizive, apo edhe biznesmenë të angazhuar me PD, kësaj radhe Lulzim Basha, i ka të gjithë kundër.
Madje sipas gjasave, situata mund të ridimensionohet pas nisjes së stinës së re politike në shtator, kur edhe fuqia e Lulzim Bashë do të jetë e ridimensionuar.
Sot Basha ka kritikë të fortë, jo vetëm ata që u fshiu nga listat në fund-majin e vitit 2017, por edhe njerëz që e kanë mbështetur në 4 vitet e mandatit të dytë si kryetar opozite.
Bujar Nishani, u afrua nga Lulzim Basha, sapo la presidencën, duke u emëruar si Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, e sot është një nga kritikët më të mëdhenj të kryetarit, e kërkon largimin e tij.
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili pasi e kritikoi fort Bashën pas spastrimit të 2017-s, e zbuti gjuhën, duke i dhënë një shans të ri. E sot ai është një nga kritikët më të ashpër të tij.
Ndërkaq, Agron Shehaj, ka qenë një shtyllë e rëndësishme e establishmentit të Bashës, si në grupin parlamentar, por edhe më pas në luftën e egër ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Me Shehajn, Basha tentoi të afroi me pjesën e djathtë të PD dhe të persekutuarit. Sot Shehaj është jo thjesht një rival i kreut të PD-së për garën e 13 qershorit, por një kritik i fortë i Bashës në lidhje me kursin e tij politik dhe zgjedhjet e tij strategjike.
Fatbardh Kadilli, përveçse një anëtar i kryesisë së PD-së, ka qenë edhe luajal me Bashën dhe lidershipin e saj në betejën politike 4 vjeçare nga 2017. Sot Kadilli, është një kandidat rival që godet më shumë Lulzim Bashën për thelbin e udhëheqjes së tij politike: strategjinë, diskursin, zgjedhjen e njerëzve, problemet kaotike të lidershipit etj.
Edit Harxhi, edhe pse nuk ka qenë një përkrahëse e flaktë e Lulzim Bashës, ngaqë përgjithësisht ka pasur objeksione në mënyrën e të bërit politikë nga lidershipi i Partisë Demokratike, ajo në opinionin publik ka qenë mjaft aktive në mbrojtje të PD-së, madje është përplasur në emisionet e darkës me vetë Edi Ramën, duke u bërë protagoniste tek përkrahësit e opozitës.
Sot, zonja Harxhi është gjithashtu një kritike shumë e ashpër me Bashën, pikërisht për thelbin e drejtimit të opozitës dhe zgjedhjes së strategjisë politike në vend dhe me ndërkombëtarët.
Kë ka sot Lulzim Basha në krah, në betejën e tretë për tu zgjedhur kryetar të PD-së, nga establishmenti i partisë ka vetëm përkrahjen e Gazmend Bardhit, kursë nga figurat; vetëm nga Jemin Gjana. Të gjithë të tjerët ose i ka kundër, ose nuk i kanë dalë në krah…