Këtë të enjte u nda nga jeta një nga personalitetet më të shquara të Teatrit Kombëtar, Pirro Mani. Ikja e tij do të mbetet gjatë në kujtesën e kolegëve dhe artdashësve. Aktorja Roza Anagnosti, teksa kujton kohën kur ka punuar me të, shprehet për gazetën “Si”se Pirro Mani i ka dhënë vlera të mëdha artit shqiptar. “U trishtuam shumë për një tjetër humbje të madhe të artit shqiptar. Kam pasur privilegjin të punoj me artistin e madh Piro Mani që i dha vlera të pazëvendësueshme artit dhe identitetit kombëtar me veprat e tij unike që kanë dhënë emocione pa fund”, shprehet Anagnosti.
Anagnosti veçon entuziazmin dhe nxitjen që Pirro Mani u jepte aktorëve për të dhënë maksimumin. “Entuziazmi i tij gjatë punës na frymëzonte e na nxiste për të krijuar personazhe karakteriale me nivel të lartë artistik. Këtë e perceptonte qartë publiku në sallën e TEATRIT KOMBËTAR dhe teatrove të tjera në Shqipëri, që kanë vlerësuar punën e tij me duartrokitje dhe emocione të forta.
Na ka munguar në gjithë këto vite arti i tij. Janë të rrallë regjisorë të tillë si Piro Mani. Respekt e mirënjohje pa fund për këtë artist të madh që na la. Ngushëllime familjes. Pushoftë në paqe!”, përfundon aktorja Roza Anganosti.
Edhe regjisori Mevlan Shanaj shprehet se kjo është një ditë e zezë për të gjithë teatrin shqiptar.
Shanaj thotë për gazetën “Si” se Pirro Mani solli në regjisurën shqiptare nivelin e barazisë. “Ikja e Pirro Manit është e trishtë, jo për miqtë vetëm, por për gjithë artdashësit dhe në mënyrë të veçantë për teatrin shqiptar! Sot po përcjellim atje përtej oqeanit legjendën e skenës shqiptare.
Ai ishte maja më e ndritur dhe më e lartë e regjisurës teatrore. Shpirti dhe vrulli i tij artistik kanë qenë dominues dhe të pakrahasueshëm në këto pesëdhjetë vjet. Pirro Mani solli në regjisurën shqiptare nivelin e barazisë botërore artistike”, shprehet regjisori Mevlan Shanaj.