Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Mickey Levy, me rastin e zgjedhjes së tij Kryetar i Parlamentit (Knesset) të Shtetit të Izraelit.
Në deklaratën e ti, Ruçi thekson se bashkëpunimi mes dy Parlamenteve do të ketë një dinamikë të re për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes popullit shqiptar dhe atij hebre.
“Më lejoni që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim, t’ju përcjell, urimet më të mira dhe më të sinqerta, me rastin e zgjedhjes Tuaj si Kryetar i Parlamentit (Knesset) të Shtetit të Izraelit dhe t’ju uroj suksese në punën Tuaj të nderuar dhe me plot përgjegjësi.
Përfitoj nga rasti t’ju shpreh dëshirën që bashkëpunimi mes dy Parlamenteve tona të ketë një dinamikë të re për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes popullit shqiptar dhe atij hebre. Shpreh vullnetin dhe dëshirën e Kuvendit të Shqipërisë për të punuar ngushtë me Ju në të ardhmen, në dobi të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona”, shkruan në letrën e tij Ruçi.