Në proces prodhimi janë dhe dy kartëmonedhat e tjera 500 dhe 2.000 lekë, që sipas guvernatorit dot dalin në treg brenda vitit 2022. Praktikisht synimi i Bankës së Shqipërisë është që e gjithë seria e re të përmbyllet në vitin e ardhshëm.

“Janë edhe dy prerje të tjera të mbetura të serisë, pasi seria ka gjashtë prerje, është prerja 500 lekë dhe prerja 2.000 lekë, e cila edhe ajo është rishikuar, është në proces prodhimi dhe parashikojmë që afër fundit të vitit do të vijë edhe kjo sasi e këtyre prerjeve, e cila do të hidhet në qarkullim besoj në fillimin e vitit tjetër ose në fund të vitit, në varësi të momentit. Do të prezantohen edhe ato të dyja njëherësh, në momentin që ato do të vijnë, por parashikimi dhe planifikimi është për në tremujorin e katërt ose fundi i vitit që ne do të bëjmë prezantimin e këtyre dy prerjeve të reja dhe seria e re është e kompletuar. Pra ne do të hedhim në qarkullim të gjitha prerjet e serisë së re të miratuar në vitin 2016”, përgjigjet guvernatori.

E gjithë seria e kartëmonedhave është e prodhuar nga 2 kompani të huaja Angleze dhe Franceze, të njohur për prodhimin e parave.

“Atëherë, janë katër-pesë, por dy kompani janë më të mëdhatë në botë që janë të njohura për prodhimin e kartëmonedhave. Prerja 200 dhe 5.000 lekë është prodhuar nga kompania angleze De La Rue. Këto prerje që aktualisht ne do të hedhim në qarkullim, 10.000 lekëshi dhe 1.000 lekëshi, janë prodhuar nga kompania franceze Oberthur. Këto janë dy kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e kartëmonedhave. Ndërkohë seria e plotë e kartëmonedhës është dizajnuar nga kompania gjermane JD, me përjashtim të 10.000 lekëshit, dizajnimi i të cilit është bërë nga një piktor shqiptar ndërkohë që komisioni ka qenë i përbërë nga albanologë, historianë, numizmatë shqiptarë për të përcaktuar tematikën e kësaj kartëmonedhe”, pohon Sejko./Shqiptarja.com