Kur kanë mbetur vetëm 24 orë për një vendimmarrje pozitive për negociatat me Tiranën dhe Shkupin vijon lobimi amerikan ndaj drejtuesve të lartë të Brukselit dhe ministrave të Jashtëm të mbledhur në Luksemburg. Shefi i diplomacisë evropiane Borrell konfirmoi se sekretari i Shtetit Blinken kishte kërkuar në një bisedë me të që të ndërmerren hapa konkretë edhe për finalizimin brenda vitit të marrëveshjes finale Beograd-Prishtinë.
“Kam qenë në komunikim të vijueshme me homologun tim amerikan, sekretarin e Shtetit Blinken. Dua të konfirmoj se tashmë ka një bashkëpunim të frytshëm mes SHBA-ve dhe BE-së për çështjen e integrimit dhe po ashtu edhe për një marreveshje Beograd-Prishtinë. Nuk ekziston me konkurrenca mes nesh dhe kjo do të ndihmojë në suksesin e këtyre proceseve. Unë i informova ministrat dhe shpresoj që të ketë zhvillime para se të mbarojë sezoni veror”, është shprehur Shefi i diplomacisë së BE, Joseph Borrell.
Shqipëria tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet ndërkohë që megjithë angazhimin diplomatik të Brukselit dhe Washingtonit ende nuk ka sinjale nga Bullgaria se do të heqë veton ndaj Shkupit. Ministrja e Jashtme holandeze Kaag kur u pyet nga gazetaret tha se duhet të prisnin supriza madje të pamenduara paraprakisht lidhur me vendimin për Tiranën e Shkupin. Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla me një postim në Facebook ka dhënë sinjale pozitive për negociatat.