Nga Alfred Peza/Adriatik Llalla zbuloi pa dashje publikisht, mënyrën sesi jo vetëm ai por edhe Sali Berisha, dëshirojnë që shqiptarët ta lexojnë vendimin që SHBA ka ndërmarrë përmes Departamentit të Shtetit për ti shpallur “non grata”. Të gjithën këtë nuk duan ta shohin si një masë “in extremis”, pas një procesi skrupuloz të grumbullimit të provave dhe fakteve të pakundërshtueshme, por thjeshtë si një akt aksidental. Si një keqkuptim të madh. Si një ngatërresë. Si diçka “fake”.
Përmes propogandës dhe mediave pranë tyre, po kërkohet të krijohet ideja se futja e tyre në listën e zezë të SHBA, është pasojë e një konspiracioni të madh. Është pjellë e një manipulimi të koordinuar mes armiqve të tyre të brendshëm me ata të jashtëm, që kanë mundësi të venë në lëvizje fijet e duhura deri në Washington, për të arritur qëllimin e tyre ndaj armiqve personalë në Tiranë. Sepse ata vetë janë të kulluar. Janë të pastër. Janë shenjtorë. Nuk kanë anjë mëkat. Nuk kanë asgjë për të kritikuar. Asgjë për tu akuzuar. E për rrjedhojë, asgjë për tu hetuar.
Në këtë linjë është edhe qëndrimi publik i Sali Berishës, pasi ai dhe familja e tij, u shpallën “non grata” nga sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken. Në të gjitha daljet e deritanishme publike, ai ka ruajtur të njëjtën linjë, duke deklaruar prerë se akuzat ndaj tij janë thjeshtë politike dhe krejt të pavërteta. Duke shtuar më pas se fton qeverinë e SHBA, për ti bërë publike të gjitha faktet që ka në adresë të tij, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë politikë.
Kuptohet që Sali Berisha është një lojtar i një klasi tjetër në raport me Adriatik Llallën, të cilin e përdori thjeshtë sa për ti shtrydhur publikisht edhe pikën e fundit para flakjes përfundimtare tutje, ndaj edhe strategjia për ta zhbërë këtë çështje është shumë herë më e sofistikuar. Edhe informacionet që sëfundi kongresmeni Lee Zeldin i kërkoi sekretarit të Shtetit rreth vendimit të firmosur prej tij për Sali Berishën, për ti bërë publike në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, e dëshmojnë këtë.
Sali Berisha e ka shpallur Edi Ramën si armik të brendshëm, për akuzat që SHBA ka ngritur ndaj tij, për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”. Ndërsa si armik të jashtëm, nuk ishte shumë e vështirë, që të shpallte Xhorxh Sorosin. Ashtu siç Bill Gates është i akuzuari i të gjithë konspiracionistëve rreth pandemisë globale, edhe autokratët politikë të planetit kanë kohë që janë bashkuar rreth emrit të filantropit të shoqërisë së hapur, për ta shënjuar si armikun e tyre sa herë që ua lyp nevoja për hallet e ditës dhe mbijetesën politike!
Pasi ka emëruar armiqtë e tij, Sali Berisha e ka shumë të qartë, se çfarë duhet të bëjë ndërkohë. Ai duhet ta shfryjë sa më parë publikisht çështjen e tij, ende sa pa u mbledhur Parlamenti i ri në shtator, në mënyrë që të nisë ta zhbëjë atë. Lulzim Bashës po i bëhet presion në rritje për të zbatuar standardin që PD kërkoi për rastin e Tom Doshit, pasi u shpall nga SHBA “non grata” si Sali Berisha, e ai hoqi dorë vullnetarisht pas 25 prillit nga mandati i deputetit. Pas 13 qershorit, kur të rikonfirmohet në krye të partisë, pritet që presioni ndaj tij të shohet akoma edhe më shumë.
Sali Berisha e ndjen që për të ka nisur numërimi mbrapsht i kohës, ndaj i duhet që të bëhen sa më parë publike çështjet për të cilat e akuzon SHBA, në mënyrë që makina e propogandës opozitare të nisë e ti banalizojë. Duke filluar ndërkohë edhe presionin, ndaj atyre që mund të jenë marë me to, në mënyrë që institucionet e drejtësisë së re ta kenë gjithmonë e më të vështirë që të vihen në lëvizje.
Si një njeri me shumë përvojë politike, Sali Berisha e di që informacioni për të në Departamentin Amerikan të Shtetit, ekziston. Sikundër logjikisht ai e di fort mirë, se dosja e tij nuk është e mbushur as me gënjeshtra, as me thashetheme dhe as me opinione, por me shkresa e prova konkrete juridike. Të cilat do ti vihen në dispoizicion, institucioneve të shtetit shqiptar kur ato tia kërkojnë SHBA, vetëm në rrugë zyrtare.
Kjo praktikë u ndoq edhe për Adriatik Llallën, e ajo do të ndiqet në të ardhmen, për këdo që do të jetë në listën e Departamentit të Shtetit si edhe Sali Berisha. Ndaj të përpiqesh që ta zhbësh këtë realitet, përmes gjyqeve që do hapë gjoja në Francë apo përmes pyetjeve të ndonjë kongresmeni, është që ta bësh SHBA të dështojë. Praktika na ka mësuar se në këtë botë çdo gjë mund të ndodhë, por që SHBA të humbi përballë listës së saj të zezë, kjo as ka ndodhur dhe as nuk besohet se mund të ndodhë kurrë!