Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB. I duheshin vetëm 129 vota për të qënë në “majën’ e botës, por arriti të marrë mbështetjen e 175 vendeve, duke treguar qartë se zgjedhja nuk ishte një rastësi, por fryt i një lobimi të fortë të diplomacisë shqiptare dhe i shumë arritjeve të shënuara, sidomos në 10 vitet e fundit në Shqipëri.

“Shqipëria do të sjellë në Këshillin e Sigurimit perspektivën e një vendi të vogël, me një politike të jashtme të përgjegjshme dhe multiraterale. Fushata e Shqipërisë u përqendruaa rreth 5 përparësive kyçe: të drejtat e grave, paqja dhe siguria, të drejtat e njeriut, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe ngrohja globale, fushatë që i dha dhe fitoren e padiskutueshme në votim”, do preçizohej nga ana e përfaqësuesve të vendeve anëtare të OKB, menjëherë pas zgjedhjes. Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dyvjeçar. Duke qenë se organi më i lartë i Këshillit të Sigurimit ka kompetenca për të garantuar paqen e sigurinë ndërkombëtare si dhe të dërgojë paqeruajtës në rajonet më të trazuara e të miratojë sanksione, është i kuptueshëm roli i Shqipërisë në këtë vendimmarrje.

Një rol që ngërthen brenda vetes besueshmërinë, vendosmërinë e profesionalizmin e përfaqësuesve shqiptarë në vendimmarjen e KS të OKB, në këtë stad të trazuar ku gjendet bota. E themi këtë pasi bëhet fjalë për një axhendë globale të cilës duhet t’i përgjigjet Këshilli i Sigurimit dhe vota e 15 anëtarëve të saj, ku me veprimet e tij kërkohet që të parandalojnë dhe zgjidhë konflikte të përgjakshme në të gjitha pikat e nxehta të globit, por dhe të arrijnë paqen dhe prosperitetin në këto vende.
Pa dyshim që është një fitore e diplomacisë shqiptare, por është edhe një mundësi e artë që i është dhënë Shqipërisë pas 65 vitesh të anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, duke pasur parasysh se shumë vende ende nuk e kanë pasur këtë mundësi në shumë dekada. Dhe këtu futen dhe vendet e rajonit tonë, përjashtuar Bosnjen dhe Herzegovinën që e mori këtë mundësi 10 vite më parë, më shumë për arësye politike dhe stabiliteti në këtë vatër të nxehtë konfliktesh në Ballkan.

Teksa është parë se si është pritur votimi i Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB nga ana e lidershipit të politikës shqiptare, është e udhës të themi se kjo arritje më shumë se sa në favor të mazhorancës aktuale, është në favor të Shqipërisë dhe për të gjithë hapësirën shqiptare në në rajonin tonë. Përshëndetjet e “akullta” të Metës dhe liderëve të tjerë të politikës, heshtja e ish kryeministrit Sali Berisha, dhe gjuha e “helmët” e numrit dy të LSI që nuk duroi pa sulmuar kryeministrin Edi Rama që të ketë kujdes dhe të mos e përdorë si presidencën e BE, tregon qartë se anëtarësimi i Shqipërisë në KS të OKB nuk i gëzoi të gjithë. Për hir të së vërtetës, përfitimet janë të shumta dhe nuk përfshijnë vetëm hapësirën prej 28 kilometrash katrorë të Shqipërisë “londineze” dhe as harkun e një mandati apo dy mandatesh qeverisëse, kushdo që do të jetë në pushtet pas mandatit të tretë të PS.
Eshtë shumë më i gjërë dhe tregon stadin e lartë në të cilin ka mbërritur Shqipëria, e cila deri para pak vitesh ishte vetë objekt i vendimeve të KS të OKB që dërgonin paqeruajtës për të shuar sherret shqiptare mes vedit, ndërsa tani është pikërisht në “kupolën” më të lartë vendimmarrëse të globit për të eksportuar dhe vendosur për paqen.

Shqipëria e ka bërë këtë për shumë vite me radhë, duke qendë qendër e nismave rajonale stabilizuese, nxitëse e bashkëpunimit rajonal si dhe eksportuese sigurie në misionet paqeruajtëse e faktor stabiliteti dhe konstruktiviteti në çdo forum ndërkombëtar ku ka kontribuar. Një nga përfitimet më të mëdha të Shqipërisë nga anëtarësimi në KS të OKB është në formën e prestigjit të politikës tonë të jashtme e të rëndësisë që ajo do të ketë në arenën globale, njëherësh dhe të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, shumëpalëshe mes vendeve. Madje dhe me ato vende që kanë qenë jashtë “radarit” të diplomacisë sonë deri më tani për shkak të kufizimeve të shtrirjes gjeografike apo të veprimtarisë sonë diplomatike. Por duhet të pranojmë se zgjedhja e Shqipërisë, përpos lobimit të fortë të diplomacisë sonë është dhe falë mekanizmave dhe standardeve që ka OKB, siç është parimi i barazisë mes vendeve dhe mundësisë që çdo anëtar me parametra të fortë stabiliteti, demokracie e zhvillimi të ketë mundësinë që të zgjidhet në “majën” e botës! Ndaj, veç aspektit të reputacionit ose njohjes së imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ku bëhesh pjesë dhe je në qendër të vëmendjes botërore për të paktën për dy vjet, ke mundësi jo vetëm të japësh mendime, por edhe të votosh për vendime të nivelit global.

Dhe ky është një moment, që mund të shfrytëzohet me efikasitet nga pala shqiptare, për ta përkthyer në kompromise diplomatike për çështjen shqiptare, sidomos për çështjen e Kosovës. Pasi të jepet e drejta që të vendosësh drejtpërdrejt për çështjen e Kosovës, të jesh në kontakt me vendet që ende nuk kanë dhënë njohjen dhe të arrihet mundësia e krijimit të një pozicioni sa më të favorshëm për shtetin më të ri në Ballkan që të anëtarësohet në OKB. Njëherësh ulja e Shqipërisë në “fronin” më të lartë të botës ku vendoset për paqen dhe sigurinë tregon qartë se Shqipëria aktualisht ka stabilitet politik e diplomatik, respektim të të drejtave të njeriut dhe ecuri të sigurtë drejt familjes europiane. Ku provën e parë të marrjes përsipër të përgjegjësive të mëdha e dha me sukses në vitin e Presidencës së OSBE, që pavarësisht situatave të vështira me të cilat u përball, duke filluar nga konflikti në kufirin mes Rusisë e Ukrainës e deri tek problemet në Bjellorusi, me regjimin e Lukashenkos, Shqipëria tregoi maturinë diplomatike e shtetërore të një vendi që shikohet si një faktor për sa i përket stabilitetit, qëndrueshmërisë, pozitivitetit dhe që reflekton mesazhe paqeje në botë.

Shansi që i është dhënë Shqipërisë për të qënë në Këshillin e Sigurimit si anëtar me të drejta të plota për dy vite me radhë, nuk është thjeshtë vetëm një shans për qeverinë aktuale shqiptare, por akoma më shumë një shans për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Madje është dhe një “certifikatë sigurie” më shumë për integrimin e Shqipërisë në BE, ku pritet që vendet anëtare të vendosin hapjen e bisedimeve ndërqeveritare për negociatat. Përshëndetja me “pikatore” që i është bërë kësaj arritjeje në të dy anët e kufirit shqiptar tregon se ende ka mendje të “hidhta” që anëtarësimin e Shqipërisë në KS të OKB e shohin si një shans të qeverisë aktuale për të krijuar bazat e një mandati të ri në zgjedhjet që janë në radhë. Vendet anëtare të OKB kanë vlerësuar ecurinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në tërë këto vite, pasi kërkesa për një vend në Këshillin e Sigurimit është bërë që në vitin 2009 nga vendi ynë, por u deshën plot 12 vite që falë diplomacisë sonë dhe rritjes së të gjitha parametrave të demokracisë në vend të realizohej. /JavaNews/M.Nikaj