Shtatë vende jo-anëtare të Bashkimit Europian, përfshi edhe Shqipërinë kanë vendosur të ndalojnë fluturimet me Bjellorusinë. Në një njoftim për shtyp, Këshilli i BE-së tha vendimi i sotëm “forcon edhe më tej masat ekzistuese kufizuese duke ia ndaluar fluturimin në hapësirën e BE-së dhe aeroporteve të saj të gjitha llojeve të mjeteve fluturuese nga Bjellorusia”.
Këtij vendimi tashmë i janë bashkuar edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe shtetet e EFTA, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane. “Këto shtete do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje vendimin e Këshillit,” thuhet në njoftim. “Bashkimi Evropian merr parasysh për këtë angazhim dhe e mirëpret atë,” thuhet në njoftim.
Bllokada ajrore ndaj Bjellorusisë vjen pas episodit të konsideruar si pengmarrje të një avioni civil, që u detyrua të devijojë për t’u ulur në Minsk, ku më pas autoritetet prangosën një gazetar kritik të regjimit.