Vendi jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për vitet 2022-2023 shënon për Shqipërinë një gur të rëndësishëm kilometrik në historinë e saj diplomatike”.

Kështu u shpreh sot në një intervistë për ATSH-në, Odeta Barbullushi, ish-zv/ministre për Europën dhe Punët e Jashtme (2015-2017), aktualisht Këshilltare e Kryeministrit Edi Rama.

Barbullushi tha se “ky mandat ofron mundësi të shkëlqyer për një pozicionim e rol më të madh të Shqipërisë në politikën ndërkombëtare, të kontribuojë në forcimin e multilaterizmit, në shtyrjen përpara të interesave të saj si një vend Aleat, me një politikë aktive e konstruktive në Ballkanin Perëndimor dhe Mesdhe, si dhe në forcimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen më te madhe të grave e vajzave në çështjet e sigurisë dhe përpjekjet për paqe”.

Shqipëria, tha ajo, “ka një eksperiencë unike në rajon, ku ka luajtur tradicionalisht një rol konstruktiv në funksion të paqes, si dhe është një vend i cili linjëzon 100% politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Europian”.

Kjo, sipas Barbullushit, i jep Shqipërisë mundësinë për të luajtur një rol më të madh si artikuluese e qëndrimeve të BE-së në këtë platformë shumëpalëshe dhe të avancimit të të drejtave të njeriut e çështjeve që lidhen me qeverisjen e mirë e shtetin ligjor në rajon e më gjerë.

“Së fundmi, mandati dyvjeçar do të jetë një mundësi e artë për diplomacinë shqiptare të operojë në një platformë globale, të ndërveprojë me shumë aktorë e të artikulojë qëndrime për një sërë çështjesh të paqes e sigurisë në shumë rajone të botës”, tha Barbullushi për ATSH-në.

Shqipëria u zgjodh të premten anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mandat dyvjeçar, ’22-’23 duke u mbështetur nga 175 vende anëtare të OKB, nga 190 vende që morën pjesë në votim.