Mutacioni indian i koronavirusit mund të jetë deri 40% më ngjitës se varianti britanik i COVID-19. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët britanikë të shëndetit, bazuar në të dhënat e të cilëve, ministri i shëndetësisë së këtij vendi Mat Henkok thotë se ky mutacion lehtësimi i masave të karantinës po bëhet më i vështirë.
Duke folur për median publike BBC, Henkok thotë se varianti Delta siç njihet ndryshe mutacioni indian është përgjegjës për shumicën e rasteve të reja të infektimeve. Rastet ditore kanë arritur në mbi 5 mijë, teksa javën e kaluar ishin dyfish më pak.
Ekspertët thonë megjithatë se ky mutacion nuk ka ndikuar në rritjen e vdekshmërisë, pasi spitalet janë lehtësuar ndjeshëm nga mbingarkesa e valës së fillimvitit. Për më tepër, të vaksinuarit me të dyja dozat e vaksinave janë të mbrojtur ndaj mutacionit indian.
Ndryshe nga Britania e Madhe, në Europë dhe Shtetet e Bashkuara ruhet trendi në rënie i infektimeve ditore me COVID-19.