Nga Mero Baze/ Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve publikoi sot listën e deputetëve që marrin mandatin nga zgjedhjet e 25 prillit, duke i dhënë fund zyrtarisht çertifikimit të zgjedhjeve. Nga lista shikohet se Tom Doshi nuk e ka marrë mandatin e deputetit që i takonte për Shkodrën. Pas shpalljes së tij si person “non grata” nga SHBA, ai duket se ka vendosur të tërhiqet personalisht nga mandati i deputetit.
Një tjetër koleg i tij, Sali Berisha, i cili në të vërtetë ka një akuzë me bazë shumë më të gjerë se sa Tom Doshi, jo vetëm që e ka pranuar mandatin, por është zotuar se do të luftojë tani dy herë më shumë kundër atyre që e kanë futur në listë të zezë.
Pra kemi dy sjellje të ndryshme ndaj një ndëshkimi nga SHBA. Njëri që tërhiqet nga mandati i deputetit, dhe tjetri që përdor mandatin e deputetit, tashmë për betejë kundër SHBA.
Ironia është se Tom Doshi ka tre mandate në Kuvend dhe sikur t’i bënte karshillëk SHBA, do të ishte thjesht një betejë e tij personale me SHBA, që nuk i interesonte askujt, përveç atij.
Kurse në rastin e Berishës është nga pas partia e parë opozitare e Shqipërisë, që ka djegur shanset që ka pasur, nga ndihma dhe mbështetja amerikane për të ndryshuar Shqipërinë në vitin 1990 e më pas.
Rezistenca e Sali Berishës ndaj SHBA dhe betimi i tij se do të dyfishojë luftën kundër saj, është një taksë që qëndron mbi Partinë Demokratike sot dhe mbi historinë e saj tridhjetëvjeçare.
Më tej akoma, beteja e familjarëve të tij, që përloten me lot e qurra mbi foto të ish- Sali Berishës me presidentë e ministra amerikanë, janë dhe më qesharake, pasi ata duan të justifikojnë betejën e Berishës kundër SHBA, si një interes të SHBA dhe jo si një interes të Sali Berishës.
Pra për herë të parë në botë, është shpikur ai që quhet “anti-amerikanizmi” pro-amerikan, që një politikan dhe një parti sulmojnë SHBA, për të mirën e SHBA. Dhe kjo sipas Berishëve do të vazhdojë derisa SHBA të kuptojë gabimet e saj dhe të korrigjohet për të mirë të saj.
Tani nëse edhe Partia Demokratike imiton familjen Berisha, nëse dhe ata fillojnë e qajnë mbi fotot e Berishës me Bushin e Bejkerin, dhe betohen se do ta ndreqin këtë padrejtësi, atëherë situata nga komike që është tani, do të kthehet në tragjike, pasi do të hyjë në një tunel pa dritë, partia më e madhe opozitare në vend, e cila nuk ka më fuqi të përfaqësojë elektoratin e saj, i cili realisht është pro amerikan.
Meqë Berisha nuk ka fuqi të bëjë dot aq sa bën dhe Tom Doshi për “partinë” e tij, PD së paku duhet të ketë fuqi t’i tregojë se nuk ka ndërmend të vdesë si parti e familjes së Berishës.
Ajo mund të qajë për Berishën, por duhet të qajë për të vajtuar fatin e keq që e ka pas në krye, e jo fatin e mirë që duhet ta heqë qafe.