Kongresmeneni Lee Zeldin, ka pyetur sekretarin e Shtetit Antony Blinken një ditë më parë, pse Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA. Ai kërkoi fakte që Blinken ka mbi korrupsionin e Berishës. Si përgjigjie, Blinken e ftoi atë në Departament të Shtetit, për t’u njohur me dosjen e Sali Berishës. Interesant është fakt, se kongresmeni Zeldin, për të cilin shqiptarët kanë bërë disa takime fondmbledhëse për rizgjedhjen e tij, ka folur me gjuhën e Sali Berishës.
Së pari, ashtu si Berisha, ai ka kërkuar prova për korrupsionin e tij. Së dyti, në mënyrë të çuditshme, Zeldin ka pyetur sekretarin e Shtetit për George Soros. Kjo, pasi Berisha e akuzon Sorosin, si njeriun që ka ndikuar për shpalljen e tij “non grata”, ndërsa mediat e familjes së tij, akuzojnë Blinken, si “njeri të Sorosit”.
Pra të gjitha pretendimet e kongresmenit Zeldin, kanë të qenë të njëjtat me ato të Sali Berishës, që tregojnë se nga vinte kjo kërkim llogarie, pasi vështirë se ndonjë kongresmeni mund t’i binte në mëndje çështja e Berishës krejt papritur.
Menjëherë pas këtij debate që ndodhi gjatë një seancë dëshmie të sekretarit Blinken në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, që deri në fund të vitit të kaluar drejtohej nga kongresisti Eliot Engel, ne televizionin e familjes Berisha ka shpërthyer entuziasmi. Në emisionin e Çlirim Pekës, evidentohej në çdo moment, se Zeldin vuri në vështirësi Blinken pse e shpalli Sali Berishën “non grata”, a thua se ky i fundit e mban dosjen e Berishës me vete dhe e di atë përmëndesh.
Nuk kuptohet në fakt entuziasmi i tyre, pasi lobimi tek një kongresmen, apo edhe të tjerë, nuk e shpëton Berishën nga mandata që i ka ardhur nga SHBA. Se siç tha dhe sekretari Blinken, dosja e Sali Berishës është në zyrat e Departamentit të Shtetit dhe kushdo që është i interesuar, mund të shkojë të njihet me të. (TemA)