Spanja, destinacioni i dytë turistik botëror, rihap portet dhe plazhet për turistët e vaksinuar me shpresën për të rimëkëmbur një sektor kyç të ekonomisë së saj, e shkatërruar nga pandemia. E keqja është se vendi konsiderohet ende i rrezikuar nga Britania e Madhe, që vendos një karantinë në rikthim për shtetasit e saj, gjë që do t’i largojë ata që të vijnë për të shijuar diellin spanjoll. “Spanja është një destinacion i sigurt”, theksoi ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias, duke konfirmuar se vendi ishte në rrugën e duhur për të rigjetur lidershipin turistik botëror ndërkohë që ka regjistruar një rënie me 77% në 2020 pasi kishte pritur 83,5 milionë vizitorë në 2019.

Duke nisur nga sot, kufijtë spanjollë do të hapen për të gjithë personat e vaksinuar nga mbarë bota. Një tjetër lehtësim që synon të ringjallë turizmin, europianët e pavaksinuar, të cilët tashmë kishin të drejtë të vinin, por duhej të paraqisnin një PCR negativ prej më pak se 72 orë, tani do të jenë në gjendje të kënaqen me një test antigjenik, shumë më lirë.

Për profesionistët e sektorit, kjo ditë do të shënojë kthimin e madh të turistëve të huaj. José Luis Prieto, president i Unionit të Agjencive të Udhëtimit (UNAV), kështu fillon të besojë për një “rikuperim spektakolar”. Sipas tij, operatorët turistikë kanë konstatuar një kërkesë të madhe për informacion gjatë tre javëve të fundit në Britaninë e Madhe, Francë dhe Gjermani, tre tregjet më të mira për sektorin turistik spanjoll.