Gushti i vitit 1991 ishte koha kur, për të, PPSH shihej si “çeta plakë”.
Ishte koha kur ende merrte pjesë në mitingjet e PD-se, e ku atij nuk i pëlqente aspak kur njerëzit brohorisnin, për largimin e një emri për tu pajtuar qorrazi, me atë që do të vinte.
Ishte koha kur kundërshtonte kultin e “njëshit”
Ishte koha kur ai trazohej nga pushteti i një grushti njerëzish që funksiononin sipas trilleve të ish-Sekretarit të Parë.
Ishte koha e refleksioneve të Edi Ramës e vitit 1991…
…Ai iu bashkua zyrtarisht PS-së (me teserë) vetëm në vitin 2003
“Rithemelimi” i PS
…Por ishte edhe koha e ndryshimeve të para në PS. Partia e Punës u riemërtua Partia Socialiste (1991). U ndryshua programi dhe statuti i partisë. Dhe u la jashtë për herë të parë, ish-Byroja Politike.
Ishte koha e fjalimit të famshëm të Dritero Agollit që kërkonte reformimin e Partisë së Punës, ndërsa salla e vërshëllente…
Atë botë, Edi Rama as nuk e sillte ndër mend se një ditë, ai do të ishte në krye të asaj force politike të cilës në gjenezën e rithemelimit i kërkoi të bëjë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj.
Rrugëtimi politik i PS-së ndër vite tregoi se si kjo forcë politike në periudha historike të caktuara zgjodhi për lider të saj dy burra krejt të ndryshëm, Fatos Nano e më pas Edi Rama.
Ndër vite, PS-ja tregoi se ishte një forcë lëvizëse pa asnjë vend pushim, me njerëz kualitativ, debatues dhe ambicioz
“Epoka” Nano
…Ishte viti ’91 kur Fatos Nano, (i pikasur prej Ramiz Alisë që në ’87-ën) synoi të krijonte një forcë të re politike bashkë me disa intelektuale të tjerë të kohës si Anastas Angjeli, Moikom Zeqo apo Shkëlqim Cani. Një përpjekje në tentative sa kohë Nano u thirr më vonë nga vetë Alia për të drejtuar PS-në.
Por dy vjet më vonë, (1993) Fatos Nano u arrestua me akuzën për abuzim me ndihmat humanitare. I la drejtimin e partisë Gramoz Ruçit, Servet Pëllumbit, Namik Dokles, Ilir Metës e Luan Hajdaragës.
Ishte koha kur për ironinë e fatit, Fatos Nano e konsideroi veten të burgosur politik, ishte koha kur vetëm një vit më vonë nga arrestimi i tij, PS do të ndryshonte programin e saj të iniciuar nga Servet Pëllumbi, Ilir Meta apo Spartak Poçi.
Ishte koha kur u përfshi liria e mendimit në parti.
Ishte koha kur pas zgjedhjeve të majit të vitit ‘96, Fatos Nano do të publikonte nga burgu mocionin për debat në KPD, atëherë kur në PS ravijëzonin qartazi dy rryma për reformimin e partisë.
Pra, ishte koha kur bëhej politikë jashtë dhe brenda kangjellave të burgut.
Ishte koha e debatit për rinovim të plotë të PS-së, dhe zëvendësimit me figura të pastra.
Ishte koha kur, (siç do të shkruante Servet Pëllumbi) në Partinë Socialistë përvijoheshin dy rrugë; E para që reformimi i PS-së të vinte në mënyrë të pandërprerë përmes alternativash, konceptesh, idesh, strukturash apo edhe vetë individësh dhe e dyta që rruga e reformimit të saj të shihej thjesht si proces ndryshimesh.
Por ishte edhe koha e vitit ‘96, me Nanon kryetar të amnistuar dhe më një sërë figurash drejtuese si Dritëro Agolli, Namik Dokle, Et’hem Ruka, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Rexhep Meidani, Shkëlqim Cani, Fehmi Abdiu, Maqo Lakrori, Ylli Polovina, Limoz Dizdari, Ilir Zela, Erjon Braçe, Bashkim Fino, Ylli Bufi, Pandeli Majko, Sherif Bundo, Hamdi Jupe, Anastas Angjeli, Monika Kryemadhi, Kastriot Islami, Arben Malaj, Sabit Brokaj, Luan Hajdaraga, apo Spartak Poçi.
Ishte koha edhe e llogaridhënies kur po atë vit, (1996) pas humbjes së zgjedhjeve, Ilir Meta, Erjon Braçe, Anastas Angjeli, apo Luan Hajdaraga kërkonin pa një e pa dy votëbesimin e kryesisë së PS.
Vetëm dy vite më vonë sërish PS-ja vendosej në sprovë. Servet Pëllumbi do të përgatiste një mocion për një tjetër debat që lidhej me procesin e reformimit të partisë.
Për herë të parë, Pëllumbi do të hidhte idenë e legalizimit të fraksioneve në PS: “Sepse nëse duam të mbetemi njerëz të lirë brenda partisë ka vetëm një rrugë; vlerësimin e mendimit ndryshe”.
Pra, më pak fjalë ishte koha e ballafaqimit të mendimeve, koha kur ne PS luftohej për forcimin e kohezionit të brendshëm, ishte koha kur partia vinte në lëvizje qeverinë dhe jo e kundërta, ishte koha kur luftohej për lidhjen me njerëzit, por ishte edhe koha e luftës për pushtet që niste nga drejtimi i partisë.
…Viti 1997 solli për herë të parë Partinë Socialiste në pushtet. Pas ngjarjeve të vitit të mbrapshtë, qeveria e Fatos Nanos u përball me sfida. Por ishte jetëshkurtër pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998. Fatos Nano dha dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i PS. Në parti nisi beteja për pushtet. Pandeli Majko u zgjodh kryeministër. Edhe ai do të qëndronte në krye të ekzekutivit vetëm 1 vit. Kongresi i 1999-ës riktheu Nanon si kandidat për kryetar përballë Majkos kryeministër dhe Sekretar i Përgjithshëm. Në atë kongres u nda posti i kryetarit të PS dhe Kryeministrit. Majko humbi me një grusht votash sepse skema ishte gati; Nano kryetar i PS dhe Meta kryeministër. U duk si një bashkëjetesë e re mes të dyve që kishin pasur jo pak përplasje që nga krijimi i PS-së.
Por viti 2001 ishte koha e përballjes së fortë të Fatos Nanos me Ilir Metën. Koha e KPD-së së famshme e po atij viti, i pagëzuar me emrin “lëvizja për katarsis”. Fatos Nano, Petro Koçi, Makbule Ceço në njërën anë, Mustafa Muçi, Bashkim Fino apo Anastas Angjeli në anën tjetër. Ishte koha e spektaklit politik. Luftë politike dhe përplasje mendimesh sipas grupimeve në kryesi, grup parlamentar dhe KPD.
Meta u largua nga qeveria. U zëvendësua nga Majko për një periudhë 6 mujore. Më pas e pasoi Nano deri në dorëzimin e pushtetit te Berisha pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës.
Një vit para fitores së Berishës, (2004) Ilir Meta themelon LSI-në.
Ndarja e parë e PS-së që çoi në fakt edhe në humbjen e zgjedhjeve në vitin 2005…
…Historia politike e PS fillon të ndahet si me thikë. Në lojë Edi Rama deri atë kohë kryetar i bashkisë së Tiranës. Futi për herë të parë parimin “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit. Zgjidhet kryetar i PS-së me dorëheqjen e Nanos (2005) dhe dy vjet me vonë fillon ndryshimet organizative të partisë e bashkë me të edhe emrat.
Në Kryesi erdhën emra të rinj, pa kontribut partiak, përveçse për kryetarin, që vinin kryesisht nga OJF dhe Bashkia e Tiranës. Figurat e rëndësishme të PS nuk shiheshin më si më parë.
Përveç Gramoz Ruçit që kish lobuar në zgjedhjen e Edi Ramës në krye të PS-së.
Shkëputja e madhe Edi Ramës me të kaluarën e emrave të PS-së erdhi në zgjedhjet parlamentare te vitit 2009, ku Rama hoqi disa emra të njohur deputetësh socialiste për të futur ata, të rinjtë, që kishin pak vite që militonin në PS si Saimir Tahiri, Ditmir Bushati apo Damian Gjiknuri figura krejt të ndryshme nga njëri tjetri që i lidhte vetëm afrimi me kryetarin.
Pas LSI, shkëputja (në përmasa më të vogla) ishte e një grupi socialistësh me në krye Petro Koçin që krijuan PSV91 (Partia Socialiste e Vërtetë ‘91). Ndërsa pas zgjedhjeve të 2009-ës, përballe Edi Ramës të humbur nga zgjedhjet parlamentare u pozicionuan emra kontributorë për PS (ndër të paktët e mbetur atë kohë) si Ben Blushi, Arben Malaj, Marko Bello apo Kastriot Islami.
Edi Rama shpalli rikandidimin. Përballë tij Ben Blushi dhe grupi i tij mbështetës paraqitën një platformë me ndryshime në statutin e partisë.
Platforma u rrëzua në kongresin e gushtit të po atij viti, 2009.
Edi Rama në anën tjetër fitoi zgjedhjet për kryetarin përballë një gare formale dhe krejt pa nerv me Maqo Lakrorin.
Filloi qartazi epoka “Rama” në drejtimin e partisë. Ai afron Erion Veliajn dhe një grup njerëzish që militonin tek G99, si Olta Xhacka e Elisa Spiropali. Vijoi të promovojë Saimir Tahirin (deri sa u vetëlargua me debat dhe me një qerre akuzash mbi supe si ish-ministër i Brendshëm). Largoi Arta Daden, Namik Doklen, Ermelinda Meksin, Luan Hajdaragën e do figura të tjera të historisë së PS.
Me fitoren e zgjedhjeve në vitin 2013, Rama solli në detyrat më të rëndësishme ata që i kish promovuar edhe në parti, si Saimir Tahirin, Ditmir Bushatin, Mimi Kodhelin, Niko Peleshin, Lindita Nikollën, Ilir Beqajn, Damjan Gjiknurin, Mirela Kumbaron, Eglantina Gjermenin apo Milena Hariton.
Nga trashëgimia e epokës Nano kishte Arben Ahmetajn dhe Blendi Klosin, ndërsa në mandatin e dytë iu bashkua kabinetit Pandeli Majko si ministër i Diasporës.
Dikur frenat e PS i mbante Gramoz Ruci, prej thuajse 4 vjetësh, ato i ka Taulant Balla.
Sot në fitoren historike për PS-në me mandatin e tretë, me imazh të ndryshuar deri edhe në simbole, Edi Rama qeveris me Arben Ahmetajn, Belinda Ballukun, Ogerta Manastirliun, Blendi Cuçin, Etilda Gjonajn, Evis Kushin apo Blendi Klosin…
N.Perndoj-SI