Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ndodhet në Gjirokastër këtë fundjavë, ku është surprizuar nga vizita e një personazhi shumë të famshëm për të apasionuarit pas letrave.
Mes të huajve që po ulen me avionë sportivë në aeroportin e vjetër, Çuçi është takuar edhe me tekstshkruesin e njohur italian Giulio Rapetti, i njohur me emrin e artit Mogol.
Çuçi thotë përmes një shënimi në rrjete sociale se Mogoli do të rrëfejë historitë e disa prej këngëve që ka shkruar, të cilat do t’i interpretojnë muzikantë italianë.
Shënimi i plotë i Bledi Çuçit
Në Gjirokastër këtë fundjave pati shumë miq të huaj, disa prej të cilëve u ulën me avionët e tyre sportivë në aeroportin e vjetër të qytetit. Por surpriza më e bukur është vizita në qytet e Mogol, autorit të famshëm të teksteve të këngëve legjendare të artistëve të mëdhenj të muzikës së lehtë italiane si Luçio Battisti, Mina, Adriano Celentano, Gianni Morandi, Riçardo Coçiante dhe Mango. Sot Mogol do të rrëfejë historitë e disa prej këngëve që ka shkruar, të cilat do t’i interpretojnë muzikantë italianë. Falemnderit ambasadës italiane në Tiranë dhe bashkisë Gjirokastër për këtë mbrëmje të mrekullueshme në qytetin e gurtë!