Kombet e Bashkuara zgjodhën pesë vende, Shqipërinë, Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ganën dhe Gabonin, për t’u bashkuar me Këshillin të Sigurimit të Premten.

Sipas The Washington Post, fakti që Shqipëria u bë pjesë e Këshillit të Sigurimit, konsiderohet si kulm i arritjeve, sepse tashmë mund të jetë një zë i fortë për çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Ishte Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Volkan Bozkir ai i cili njoftoi rezultatet e votimit të fshehtë, duke uruar edhe fituesit.

Mandati për 5 anëtarët e rinj të Këshillit do të fillojë më 1 Janar, duke zëvendësuar kështu 5 vendet, Estonia, Nigeria, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami, të cilat qëndruan për një mandat 2-vjeçar. Shqipëria, Brazili, Emratet e Bashkuara Arabe, Gana dhe Gaboni, do të bashkohen me 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit, SHBA Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca dhe me 5 vende të zgjedhura nga viti i kaluar, India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhacka përmes rrjetit të saj social u shpreh se kjo për Shqipërinë është një mundës historike. Edhe Ambasadorja e Kombeve të Bashkuara falënderoi të gjithë vendet për votat dhe besimin që i treguan Shqipërisë.

Në votimet e së premtes, Shqipëria mori 175 vota. Gana 185 vota, Gabon 183 vota, Brazili 181 vota dhe Emiratet e Bashkuara Arabe 179.