Misioni i Partisë Socialiste për kryeministrin Edi Rama në 4 vitet e ardhshme do të jetë për ta çuar Shqipërinë përpara “për t’u kthyer shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë”.
Në fjalën e mbajtur gjatë Kongresit të jashtëzakonshëm të PS, Rama u ndal edhe tek opozita dhe shpallja e Berishës non grata nga DASH:
“Duhet t’iu ikim sherreve, t’u shmangemi konflikteve, fushata ka mbaruar, PS ka fituar. Duke fituar Shqipëria, PS të fitojë përsëri e përsëri.
Ç’na duhet ne se çfarë bën PD? Ç’punë kemi ne si i bën zgjedhjet brenda saj, sesi kremton fitoren e zgjedhjeve të lira, pa u numëruar votat dhe pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura, pasi votat u numëruan….
Çfarë na intereson ne se di apo s’di PD si e qysh ta lidhë kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit… ç’punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh do të korrësh thotë populli…“
Dorën e bashkëpunimit ia shtriu sërish Partisë Demokratike:
“Me PD do të debatojmë sa të mundemi kur të mundemi për politikat që i duhen vendit. Ndërsa me atë politikën që i ka ezuaruar nervat vendit, do të mbajmë në distancë higjienike…. Ne kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve”.