Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakoyannis përuruan sot “Parkun Helen”, i cili ndodhet në një hapësirë mjaft të bukur në liqenin e Farkës. Të pranishëm në përurim ishin edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Sophia Philippiddou, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe kryepeshkopi Janullatos. Parku Helen u realizua me ndihmën e Ambasadës së Greqisë në Tiranë. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se ky park kaq i këndshëm dhe çlodhës për qytetarët, është një hapësirë kushtuar marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. “Ajo që na lidh me njëri-tjetrin nuk është thjesht fryma mesdhetare dhe historia, por edhe marrëdhëniet tona, të cilat janë shumë më tepër se kaq. Greqia, është një nga ato vende mike që na ka mbështetur pa rezerva në të gjitha hapat tona të integrimit në Bashkimin Evropian. Gjestin e sotëm, të shënjuar me këtë park, e konsiderojmë si një shenjë mirënjohje, por edhe një stoli për të festuar marrëdhëniet e shkëlqyer dhe raportin special mes Tiranës dhe Athinës, Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se qytetarët e Tiranës tani kanë një tjetër hapësirë të gjelbër ku do mund të kalojnë disa orë qetësie, teksa nënvizoi se të dielën do të zhvillohet tregarëshi TIRANATHLON. “Në këtë njësi të stërmadhe tani që quhet bashkia e re metropolitane e Tiranës, do të trashëgojnë një hapësirë fantastike prej 5500 m2, e konceptuar si një hapësirë shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse për aktivitete sportive. E kemi dekoruar me bimësi tipike mesdhetare si element unifikues mes Shqipërisë dhe Greqisë, siç keni parë ullinjtë, apo shumë prej shkurreve dekorative që janë të ngjashme në të dy vendet tona”, pohoi Veliaj.
Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakoyannis, falenderoi Veliajn për punën e bërë, duke e cilësuar si një njeri me zemër të madhe. “Falenderoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili gjithmonë na tërheq, na merr me vete me dinamizmin, efektivitetin e tij, por është edhe një njeri me zemër të madhe. Sepse nuk mund të mendoj një festë më të mirë, më të bukur, për 200 vjetorin e luftës greke për liri, jashtë kufijve të Greqisë. Ky është një park i mrekullueshëm në këtë vend me të vërtetë të bekuar, afër këtij liqeni kaq të bukur”, përfundoi Bakoyannis.
Ambasadorja greke në Tiranë, Sophia Philippiddou tha: “Kemi të bëjmë me një nisëm bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës, nëse nuk do të kishim këtë bashkëpunim ky projekt nuk mund të realizohej.” “Parku Helen” është një variant i ri zgjedhjeje që do t’u ofrojë shlodhje, argëtim, kulturë dhe aktivitete sportive banorëve të Tiranës. Është një park tematik që dallohet për anën estetike, i cili përmban dy pole kryesore: atë kulturor dhe atë sportiv.