Një nga pesë shkollat që po ndërtohen vetëm në njësinë Nr. 9 në kryeqytet është dhe ajo “Qazim Turdiu”. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka publikuar pamjet nga procesi i rindërtimit nga themelet të shkollës e cila u dëmtua nga tërmeti. Kryebashkiaku Veliaj siguron se shkolla e re do të jetë jo vetëm më e bukur, por dhe me kushte shumë herë më të mira.
“Një tjetër shkollë i shtohet Tiranës. – Shkolla “Qazim Turdiu” . Më e bukur, më e fortë dhe më komode, ambienti i ri shkollor premton kushte më të mira në mësimdhënie”, shkruan Veliaj. Në Njësinë 9 Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për ndërtimin e 5 shkollave të reja, dy prej të cilave në zonën e “Don Boskos”. Dy shkollat “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” në fund të “Don Boskos”; shkolla “Andrea Stefani” te “Shqiponja”, dhe dy shkollat e reja “Qazim Turdiu” dhe “Hasan Vogli” i japin zgjidhje gjithë nevojave të këtij komuniteti në kryeqytet duke ofruar institucione arsimore me standarde evropiane.