Në Bibliotekën e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë ka vijuar konsultimi me rektorët e universiteteve në vend për rritjen e cilësisë së Arsimit të Lartë. I pranishëm në këtë takim është edhe kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.
Në fokus të takimit është bashkërendimi i punëve për të arritur këtë qëllim madhor, zhvillimi i arsimit të lartë gjithëpërfshirës që plotëson standardet ndërkombëtare të cilësisë, integriteti akademik dhe transparenca si promotorë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Pikat kryesore të cilat u diskutuan në takim ishin mbi:
– Lehtësimin e procedurave për programet e studimit që sjellin diploma të përbashkëta dhe diploma të dyfishta me universitetet e huaja;
– Nxitjen e universiteteve tona që të bashkëpunojnë në të gjitha format me partnerët ndërkombëtare dhe ky bashkëpunim do të ketë mbështetjen maksimale të qeverisë shqiptare;
Gjatë takimit, u ra dakord që duhet të punohet më tepër për pjesëmarrjen më cilësore të universiteteve në projektet europiane, sidomos në Programin “Horizon” e të tjera të ngjashme.
Në të njëjtën kohë, Plani Ekonomik i Investimeve për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Europian, sjell shumë sfida mundësi edhe për arsimin e lartë në Shqipëri, ndaj angazhimi shumë i fortë i universiteteve në këtë kuadër është në domosdoshmëri për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.