Zgjedhja e pesë vendeve, mes të cilave edhe Shqipëria, si anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB me një mandat dy vjeçar, është komentuar si një moment me rëndësi të veçantë nga media ndërkombëtare.
“Washington Post” thekson se ulja në tryezën e Këshillit për vendet si Shqipëria është maja e arritjeve të tyre pasi u jep një zë të fortë në çështjet e sigurisë globale.
“Të fituarit e një vendi në Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë konsiderohet maja e arritjeve për shumë vende, sepse u jep atyre një zë të fortë për çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare duke filluar nga konfliktet në Siri, Jemen, Mali dhe Mianmar e deri te kërcënimi bërthamor i paraqitur nga Koreja e Veriut dhe Irani, dhe sulmet nga grupet ekstremiste si Shteti Islamik dhe al-Kaida”, shkruan WP.
Teksa thekson se kjo është hera e parë që Shqipëria ulet në këtë karrige, Washington Post citon gjithashtu Ministren e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila e quajti votimin një mundësi historike për vendin e saj.