“Bullgaria mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” – ky ka qenë mesazhi që ka marrë kryenegociatori i Shqipërisë Zef Mazi nga zyrtarët e shtetit bullgar gjatë një vizite dyditore që ai përmbylli ditën e sotme.
Diplomati Mazi, i cili ka nisur një tur vizitash në shtetet anëtare të BE-së për t’u paraqitur progresin e Shqipërisë, u takua ditën e sotme me zëvendësministrin e Jashtëm bullgar Rumen Alexandrov, me të cilin, sikurse tha Mazi, diskutoi për disa çështje.
Bullgaria mbështet plotësisht BE-në për të ndërmarrë hapat e radhës me Shqipërinë. Shohim përpara drejt një vendimi pozitiv [për konferencën ndërqeveritare] në qershor, zgjerimi duhet të vijojë,” – shkroi në Twitter Mazi, teksa e konsideroi takimin si miqësor dhe tejet profesional.
Ditën e djeshme Mazi shkëmbeu këndvështrimet dhe përvojën bullgare me procesin e integrimit duke u takuar me zëvendëspresidenten Iliana Yotova, ish-ministrin e Jashtëm bullgar Solomon Passy, i cili drejtoi negociatat në kohën kur Bullgaria nisi bisedimet për anëtarësim dhe ambasadoren Biserka Benisheva.
Përmes disa postimesh në Twitter, diplomati shqiptar ndau për mediat qëndrimin se Bullgaria e mbështet plotësisht Shqipërinë në procesin e integrimit.
“Shumë i lumtur që u takova dhe bisedova sot me zv.Presidenten e Bullgarisë Iliana Yotova. Një shkëmbim pikëpamjesh të hapura dhe të dobishme. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Mbështetje e plotë nga Bullgaria!” – shkroi në Twitter Mazi.
Shqipëria pret që në qershor Këshilli Evropian të miratojë kuadrin negociues dhe po kështu rekomandimin e Komisionit Evropian për mbajtjen brenda këtij viti të konferencës së parë ndërqeveritare të bisedimeve për anëtarësim.
Çështja e integrimit u shty vitin e shkuar për shkak të skepticizmit dhe kundërshtisë së disa vendeve anëtare të mënyrës se si zhvilloheshin negociatat dhe situatës që kishte Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Aktualisht Shqipëria, sikurse e ka vlerësuar edhe komisioneri për zgjerimin, Varhelyi, i ka përmbushur kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.