Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi zhvilloi një takim sot në Tiranë me përfaqësuesit e GIZ në Shqipëri në kuadër të implementimit të projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i zonave Rurale”.

“Qeveria Gjermane ndër vite ka mbështetur Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me ngritjen e kapaciteteve për hartimin e politikave dhe përmirësimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural”- u shpreh Ekonomi.

Ministrja theksoi rëndësinë e vijimit të aktiviteteve me fokus forcimin e kapaciteteve të administratës shqiptare; përmirësimin e produkteve të zinxhirit të vlerës; rritjen e eksporteve sipas vizionit të qeverisë, fuqizimin e rolit të gruas në zonat rurale, të rinjtë dhe bujqësia, zhvillimin e inovacionit dhe dixhitalizimit në bujqësi në përputhje me politikën e BE për një zhvillim të qëndrueshëm.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në 400 milionë dollarë, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme.