Si sot 31 vite më parë, u shënua ai që u quajt eksodi masiv i mijëra shqiptarëve, të cilët u strehuan në selitë e ambasadave të huaja në Tiranë. Për të kujtuar këtë ditë, Presidenti Ilir Meta, priti në ambientet e Presidencës Yllbardh Bodinakun, i cili u bë shqiptari i parë që hyri në Ambasadën Gjermane, i hipur në kamionin e tij duke shembur murin e saj. Ky gjest për kreun e shtetit, shërbeu atë ditë për të hapur “një dritare shprese, guximi dhe lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori dhe izolimi total”.
“Me rastin e 31-vjetorit të eksodit masiv të mijëra shqiptarëve, të cilët në 2 korrik 1990 u strehuan në selitë e ambasadave të huaja në Tiranë, pata sot kënaqësinë dhe nderin e veçantë t’i akordoj “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Heroit të veçantë të ngjarjeve të asaj dite, z.Yllbardh Bodinaku, i cili me ‘Skodën’ e tij, hyri në historinë e Shqipërisë për aktin e pashembullt të vetëmohimit, trimërisë dhe të guximit qytetar, duke i dhënë një god itje të fortë dik taturës, me shembjen e ‘murit shqiptar të Berlinit”, për të hapur një dritare shprese, guximi dhe lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori dhe izolimi total”, shkruan Presidenti Meta në një postim në rrjetet sociale. Sipas kreut të shtetit, ende sot, ëndrra e shqiptarëve për ta bërë vendin si gjithë Europa është ende e paplotësuar.
“Ëndrra e një Shqipërie si e gjithë Europa vazhdon ende e paplotësuar edhe pas tre dekadash. Ndaj sot është edhe një ditë angazhimi, që të punojmë më fort, me vendosmëri dhe me përgjegjshmëri maksimale për të shlyer këtë detyrim, që i kemi brezit të atyre viteve. Njëkohësisht, për të përmbushur detyrimin, që kemi ndaj rinisë tonë sot, për të pasur një Shqipëri plotësisht europiane, ku mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, të lirë dhe me standarde perëndimore.
Liria ndërtohet mbi guximin. Ndaj ne i jemi gjithmonë mirënjohës z.Bodinaku, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët treguan një guxim të jashtëzakonshëm më 2 korrik 1990 për të dhënë dhe një mesazh të madh frymëzimi, për të rrëzuar çdo mur dhe për të kapërcyer çdo pengesë, që na ndan nga Europa e Bashkuar, në çdo kohë. Mirënjohje heronjve dhe guximtarëve të 2 Korrikut! E ARDHMJA U PËRKET GUXIMTARËVE GJITHMONË!”, shkruan Meta. Ndërkohë, kreu i shtetit ka sjellë shembullin e djalit të Yllbardh Bodinakut, i cili 31 vite më parë, më 2 korrik, kur babai i tij shembi murin e ambasadës, ishte vetëm 3 muajsh. Sot, ai nuk mendon të largohet nga Shqipëria.