Nga Adriatik Doçi/
Trupa aktuale gjykuese e Gjykatës Kushtetuese është produkt i reformës në drejtësi, një nga investimet dhe angazhimet për më të mëdha dhe serioze të SHBA-BE në Shqipëri. Reforma në drejtësi, nga ana tjetër, është një nga proceset transformuese më të sulmuara dhe të luftuar nga opozita shqiptare për pesë vite me radhë, duke krijuar bashkë me një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh, edhe atë që konsiderohet si fronti kundër reformës. Fillimisht fronti kundër reformës është udhëhequr nga Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në koordinim me ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shoqatën e Gjyqtarëve, krerët e drejtësisë së vjetër që u rrëzuan nga Vetingu, segmente mediatike etj., si dhe me mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim në prapaskenë.
PD-ja dhe gjyqtarët u bashkuan duke kundërshtuar ligjin e Vetingut dhe ligjet e tjera bazë të reformës në Komisionin e Venecias, Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatën Kushtetuese. Pas dështimit të betejës ligjore për rrëzimin dhe deformimin e reformës në drejtësi, nisi një fushatë akuzash kundër procesit të Vetingut dhe organeve të reja të drejtësisë.
Pas vitit 2017 dhe në vijim, luftën kundër reformës në drejtësi po e udhëheq Ilir Meta, në koordinim me Sali Berishën. Ilir Meta e ka konsideruar reformën në drejtësi si një komplot ndërkombëtar, si konspiracion sorosian, si produkt i organizatave mafioze ndërkombëtare, si Ramaformë, puç shteti etj.
Por, në harkun kohor prej 4 muajsh, Gjykata Kushtetuese, ka marrë 7 vendime të rëndësishme kundër qeverisë dhe mazhoancës, duke rrëzuar kësisoj akuzën kryesore të PD-LSI-së për kapjen e reformës dhe rrjedhimisht të drejtësisë.
-Në 16 shkurt 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi skemën e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, parashikuar në ligjin e vitit 2015, miratuar nga maxhoranca aktuale. Kushtetuesja shfuqizoi dy pika të nenit 7 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të tokës së kthyer ish-pronarëve në raport me të gjithë sipërfaqen që i është njohur me vendime, si dhe duke hedhur poshtë kufirin maksimal financiar prej 100 mijë USD për kompensimin financiar. Gjykata detyron qeverinë dhe Kuvendin të miratojnë një formulë tjetër për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve.
-Në 9 mars 2021, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht urdhrin nr. 633, datë 17.11.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për masat kufizuese kundër covid-19. Gjykata detyroi Ministrinë e Shëndetësisë që të vendoste një afat për aplikimin e masave kufizuese. Sipas gjykatës, masat kufizuese pa afat shkelnin të drejtat e njeriut.
-Në 5 maji 2021, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një pjesë të nenit që ndalonte organizimin e protestave pa marrë lejen më parë nga policia. Gjykata hoqi pjesën e përcaktuar në nenin 262 të Kodit Penal ku përcaktohej se ndalohen “grumbullimet pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”. Tani me këtë ndryshime mjafton që policia vetëm të vihet në dijeni se po zhvillohet një protestë apo tubim. Edhe ky vendim është konsideruar si fitore e madhe e nga opozita.
-Në 18 maj 2021, Gjykata Kushtetuese i dha zgjidhje përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta për emërimin e ministrave. Për Gjykatën Kushtetuese emërimi ose shkarkimi i një ministri është kompetencë e 3 organeve kryesore, Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit me dakordësi me njëra-tjetrën. Në vendim e Gjykatës Kushtetuese thuhet se presidenti mund ta kthejë emërimin e një ministri, por duke respektuar luajalitetit në një marrëdhënie ndërinstitucionale. Sipas Kushtetueses të tre këto institucione kanë kompetenca në procesin e emërimit dhe të shkarkimit të ministrave, por duke respektuar afatet dhe balancën mes pushteteve (check and balance).
-Në 5 qershor 2021, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e ish-kreut të bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila në vitin 2019. Rama e shkarkoi kryebashkiakun e Vaut të Dejës, pas sulmeve të dhunshme në KZAZ nr. 6 në Bushat, ku u dogjën materialet zgjedhore dhe mbetën të plagosur tre efektivë policie, para zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Por, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin e shkarkimit me arsyetimin e se Hilës i ishte mohuar e drejta për t’u njoftuar dhe dëgjuar.
-Në 30 qershor 2021, Gjykata Kushtetues goditi ligjin zgjedhor të miratuar nga maxhoranca në vitin 2020, duke rrëzuar herësin dhe hapur rrugën për lista 100 % të hapura në zgjedhjet e ardhshme. Gjykata pranoi një kërkesë të Bindjes Demokratike për shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit. Me këtë vendim, kryetarët e partive nuk do të vendosin më pjesën më të madhe të deputetëve dhe se deputeti që fiton numër më të madh votash futet në parlament pavarësisht renditjes.
-Në 2 korrik 2021, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka shfuqizuar bazën ligjore të miratuar nga Parlamenti dhe qeveria për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar nga Bashkia e Tiranës. Gjykata pezulloi ndërtimin e teatrit të ri, duke çuar çështjen në stadin fillestar. Tashmë ndërtimi i teatrit të ri kombëtar shkon në dorë të qeverisë qendrore, e cila mund të nisë nga fillimi procedurat pasi prona do të kalojë serish në pronësi të Ministrisë së Kulturës dhe ligji special PPP për ndërtimin e teatrit tashmë nuk mund të jetë më në fuqi.
Opozita e konsideron vendimin për pezullimin e nderimit të teatrit një fitore të madhe. Krahas shpalljes së fitores, PD-LSI ndoshta duhet edhe që të ndalojnë sulmet ndaj organeve të drejtësisë së re, të tërheqin akuzuat për kapje të reformës dhe konsiderimin e saj komplot të Perëndimit. (Shqiptarja.com)