Nga Alfred Peza
Vizita private që Kryetari i Shtetit po zhvillon me bashkëshorten e tij përtej oqeanit, u raportua nga mediat se kishte si qëllim, edhe takimin me një prej lobistëve më të njohur të SHBA. Kjo i shtyu shumicën e komentuesve, ta lidhnin me të drejtë këtë hap, me të ardhmen politike të Ilir Metës pas shkarkimit të tij si President i Republikës nga Parlamenti dhe frikën në rritje të elitës sonë të vjetër, pas shpallje “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit të Sali Berishës dhe familjes së tij.
Lobimi është një biznes legal dhe shumë fitimprurës në SHBA dhe ushtrohet prej shumë firmash dhe individësh, prej dekadash. “Lobbyist”-i është ai që “punon” në korridoret e pushtetit, për një ose disa klientë të caktuar, ose ai që i këshillon ata se si ta bëjnë këtë gjë vetë. Puna e lobistit është që përpiqet të ushtrojë ndikim mbi hartimin ose zbatimin e një politike të dhënë. Një nga politikat që ndjek SHBA e që ka trauzar shumë ujëra në Tiranë, lidhet me futjen e pushtetarëve të korruptuar e të kriminalizuar, në listën e saj të zezë.
Fakti që Kryetari i Shtetit tonë, udhëton privatisht dhe jo zyrtarisht për të takuar një lobist në SHBA, tregon se halli që ka shkuar të qajë Ilir Meta atje, është personal dhe jo në interes të Republikës. Në fund fare, ka pak për të mos thënë “zero” shanse që të ketë sukses në çfarëdo çështje që kërkon të lobojë, sepse Presidenti i shpalli lu ftë të hapur publike SHBA përpara zgjedhjeve të 25 prillit dhe mbajti anën e Sali Berishës, kur ajo e ndëshkoi në kryqin e turpit politik pak ditë më pas.
Të lobosh prej 30 vjetësh të karrierës tënde në politikë, për të dalë një foto me politikanët më influentë të Washingtonit dhe të besosh se do të fitosh pasi i ke shpallur l u ftë Amerikës, këtë vetëm politikanët shqiptarë mund ta besojnë. Ndaj edhe kjo përpjekje private e Ilir Metës, për të zgjidhur një çështje që e ke krijuar nga pozitat e tij zyrtare, është thjeshtë kronika e një humbjeje të paralajmëruar.
Ironia më e madhe në këtë rast është se historia e lobimit të liderëve shqiptarë, ka patur si kulminacion të saj daljen në një foto me Presidentët, me senatorët apo kongresmenët e SHBA. Ndërsa një shtrëngim duarsh me buzëqeshjen e praruar vesh më vesh, fiksuar dikur në “celuloid” dhe tashmë në kamerat dhe aparatet fotografike digjitale me shefin e Zyrës Ovale në Shtëpinë e Bardhë, ka qenë, është dhe do të mbetet Kryeëndrra e tyre.
Edhe për Presidentët, edhe për Kryeministrat, edhe për Kryetarët e Parlamentit, edhe për shefat e opozitës, edhe për ministrat e Shqipërisë postkomuniste, pika kulminante e udhëtimeve për në Washington ka qenë ajo poza me një nga figurat më të njohura, e mundësisht sa më të rëndësishme në hierarkinë e politikës aktive amerikane. E në mungesë të tyre pse jo bënte punë, edhe një kujtim me ish Presidentë, apo personazhe politike në pension, të njohur sadopak në hapësirën shqiptare në Ballkan.
Kaq mjaftonte që fotoja të kalonte më shpejt se i zoti oqeanin, për tu shndërruar sa hap e mbyll sytë, në kryelajmin e të gjitha mediave të Tiranës. Politikani shqiptar me të drejtë do të krekosej për një kohë të gjatë pas kësaj, sepse u kishte dëshmuar votuesve, hierarkisë së partisë së tij dhe elitës së vendit, se gëzonte mbështetje të madhe atje lart. Nga shumë shumë lart, drejt e nga maja e Olimpit të Politikës Globale dhe e aleatit tone kryesor strategjik.
Më pas fotoja zmadhohej në studiot më të mira, me cilësinë më të lartë dhe pasi vendosej në kornizën më fine të mundshme, gozhdohej në pikën më të dukshme të murit të zyrës për të impresionuar këdo që do kishte fatin ta shihte nga afër. Nuk e besoj se e keni harruar, historinë e fotos së Lulzim Bashës me Donald Trump-in, në kulmin e protestës së opozitës për “Republikën e Re” më 2017, në Çadrën e Bulevardit. Ngazëllimi për “mbështetjen” që Presidenti i SHBA sapo kishte shprehur për PD dhe Lulzim Bashën, kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, ishte më i madh sesa të kishin fituar zgjedhjet.
Por e vërteta doli shpejt në shesh, kur me një kërkim të thjeshtë në google, vetë zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë kishte njoftuar se Trump ishte angazhuar personalisht në një nismë për mbledhjen e fondeve në Milwakee, për të ndihmuar Scott Walker, që të rikandidonte për postin e Guvernatorit në shtetin e Wisconsit. Një nga mënyrat për ta realizuar këtë, është dalja në foto, kundrejt një pagese prej dhjetra mijëra dollarësh të cilat shkojnë për fushatën elektorale.
Kaq mjafton për të kuptuar se, Amerika nuk mundet me lu ftë, pasi ke lobuar gjithë jetën për një foto. Çdo lider mund të gëzojë mbështetjen e saj, vetëm nëse u shërben siç duhet jo interesave të veta personale e familjare, por atyre të Shqipërisë dhe të shqiptarëve!