Autoritetet shëndetësore, mjekët dhe qytetarët intensifikojnë apelin për vaksinimin e popullsisë, me hyrjen e variantit Delta në vend. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shpërndau sot mesazhin e disa mjekëve dhe qytetarëve të cilët apelojnë për kryerjen e vaksinimit sa më parë, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.
“Vaksinohuni që të mbroni shëndetin tuaj. Vaksinimi shpëton jetë” – shprehen ata. “Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vaksinohen me të gjithë vaksinat që ka në dispozicion shteti, pasi të gjitha janë të sigurta. Unë nuk pata asnjë problem, pasi bëra vaksinën”- tha një qytetar.
Ndërsa një i ri i bëri apel të gjithë të rinjve të vaksinohen. “Vaksinimin është një domosdoshmëri që redukton mundësinë e përhapjes së infektimit”- thanë mjekët.
“Vaksinohu pa kosto që të sigurosh jetën tënde”- u shpreh një qytetar në moshë të thyer. Me 1,699,410 vaksina antiCOVID që kanë mbërritur deri tani në vendin tonë ndërsa sasi të tjera pritet të vijnë në vijim, qeveria është e vendosur ta çojë përpara planin kombëtar të vaksinimit, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të çdo qytetari.