Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar për operacionin e SPAK, ku u arrestua kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe dhe 11 punonjës të tjerë.

Në një postim në rrjetet sociale, Kim shkruan se askush nuk është mbi ligjin dhe se ka ardhur koha për të ndalur korrupsionin.

“Nëse jeni të përfshirë në korrupsion, pa marrë parasysh sa të fuqishëm mendoni se jeni tani është koha të konsideroni ndikimin që veprimet tuaja do të kenë te familja dhe vendin juaj. Është koha të shqyrtojmë nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është koha për të ndaluar. Askush nuk është mbi ligjin,” shkruan ambasadorja.

Tushe u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme pasi dyshohet se ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin.

Gjithshtu, një tender me vlerë 24 milionë lekë është shkelja që ka çuar sot pas hekurave kryebashkiakun bashkë me 11 persona të tjerë me tyre zyrtarë, ish-zyrtarë dhe biznesmenë. Burime bëjnë me dije për ABC se tenderi është dhënë në mënyrë të paligjshme për ndërtimin e një kanali ujitës.