Belgjika pa mbrëmjen e djeshme se si brezi i saj i artë i futbollistëve humbi mundësinë e radhës për të fituar një kompeticion të madh.
Kombëtarja që mban vendin e parë të renditjes së FIFA-s humbi 2-1 ndaj Italisë, në çerekfinalet e “Euro 2020”, në një ndeshje ku axurrët bënë çfarë deshën.
Belgjika pati disa raste, por Donnarumma dhe Spinazzola shmangën golin e dytë. Edhe pse Lukaku shënoi me penallti, ishte hija e vetes ndaj Italisë. Giorgio Chiellini, edhe pse 36-vjeçar, nuk i la fare hapësirë qendërsulmuesit belg. Për këtë arsye, mediat belge nuk patën mëshirë për gjigantin e Interit.
“I padukshëm gjatë gjithë ndeshjes. Rom, ku ishe kur kishim më shumë nevojë për ty? Ti supozohej të ishe vrasësi i pamëshirshëm që aq frikë e kishin italianët…”, lexohet në editorialin e ashpër të HLN.