Nga Ben Andoni
Si zor, që ish-kryeministri Sali Berisha, të ketë luajtur në politikë pa top siç po luan në muajt e fundit. Duke e përdorur këtë metaforë, e cila i shkon edhe kohë-zhvillimit të Evropianit të futbollit , jemi munduar të lexojmë se çfarë vjen pas vizitës së Ndihmës sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker për fatin e tij. Rebusi është ende i paqartë. PD-ja e pret me të gjithë protokollin e duhur përfaqësuesin e lartë amerikan, e nderon gati me përuljen që tashmë ja kemi blatuar SHBA-së, ndërkohë që përfaqësues të saj e qesëndisin hapur Washington-in. Një lloj indiference e bukur duket pas pritjes së kryetarit të sapokonfirmuar Basha, porse as edhe pas kësaj vizite nuk po merren vesh gjërat që do të dalin hapur në shtator prej SHQUP-it.
Ish-kryeministri Berisha është duke u përpjekur shumë përmes shumë kanaleve të mbajë kultin e tij të lartë tek shqiptarët. E përkrahin personalitete dytësore në vend dhe të huaj. Flitet për ndershmërinë e tij dhe lidhjet e shumta me SHBA-në. Veçse koha, kjo armike e pamëshirë e shtirjes dhe e sforcimeve të panevojshme nuk fal. Për fat të keq të tij, Berisha nuk e ka forcën e duhur te PD-ja, jo vetëm e thjesht për sasinë e numrit të votave që mori në zgjedhjet e fundit; konfuzionin e njerëzve që donin postin e kryetarit të saj, që duket se ai i menaxhon përmes të metave të tyre; apo artikulimeve të ngurta të Bashës, por prej një dokumenti që ka vlerë supreme dhe i ka ardhur nga ana e Departamentit të Shtetit. Në këtë rast, mbështetja më e madhe e tij mund të vinte po nga institucione, gjë e cila nuk vjen dhe kjo është e kuptueshme (ai ndihmoi në bojkotin e institucioneve) apo nga vetë PD-, zëri i të cilës është bjerrur pa fund prej humbjes.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka një fat të madh dhe kjo thjesht për rëndësinë që po i kushtohet kryetarit të saj, që duan apo nuk duan shumë kritikë është fiksuar te emri i zotit Basha, por edhe te kujdesi i shtuar me të cilën po trajtohet nga SHBA. Edhe pse Reforma në Drejtësi nuk po ecën fare me notat optimiste të SHBA-së dhe vendi po përcjell probleme prej një sërë reformash të mos zhvilluara, kërkesa është që palët të ngrihen për integrimin e vendit por edhe për t’u përshtatur për konjukturat e SHBA-së.
Ndërsa maxhoranca është në momentin më proamerikan, tashmë i takon PD-së të jetë në të njëjtën gjatësi vale. Koha do t’i tregojë qartë perceptimet por ato janë ende të panjohura kur mendon se u shmang hapur Ilir Meta, presidenti i vendit, komandanti i ushtrisë, shenjat e pagabueshme të tatëpjetës së tij së pakthyeshme, ndërkohë që u vlerësua Shqipëria për “Defender Europe ‘21”!!
“Reeker nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021 është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
A të jetë kaq i frikshëm korrupsioni shqiptar për SHBA-në?! Mënyra sesi janë sjellë amerikanët në shumë vende tregon se sjellja e tyre ka perspektiva, që dihen nga pak veta. Shumë herë marrin kthesa të frikshme, që tregojnë pragmatizmin amerikan. Ndaj, kinse indiferenca e PD-së dhe kjo sjellje nuk mund të dirigjohet më nga Berisha, pasi edhe burokratët e niveleve më të ulëta të administratës amerikane japin mesazhe edhe përmes takimeve, si ai kokë-më-kokë me Bashën se e ardhmja flitet qartë dhe hapur dhe se thjesht duhet të kapësh mesazhin.
Rama e ka kuptuar qartë por Basha edhe më shumë, ndaj Berisha duhet të ketë realisht frikë më shumë nga pasardhësi i tij sesa Departamenti i Shtetit, me të cilin rrugët janë ndarë. Koha do të na mësojë shumë gjëra, ashtu si do të na bëjë dëshmitarë të zhvillimeve interesante, por loja pa top e Berishës nuk i hyn më në punë askujt. Të paktën, të tijët e kanë marrë mesazhin, që të mos e kenë as në stol.