Nga Fatos Tarifa/
Simpatitë e mia politike janë për socialdemokracinë europiane dhe demokratët amerikanë.Në Shqipëri kam votuar dhe votoj për Partinë Socialiste. E, megjithatë, e di dhe e pranoj se një Shqipëri demokratike ka nevojë edhe për Partinë Demokratike.
Shqipëria—dhe as Partia Demokratike e saj—nuk kanë nevojë për Sali Berishën.
Shqipëria ka nevojë për një parti opozitare që është vërtet demokratike. Shqipëria nuk ka nevojë për një opozitë që nuk përfaqësohet nga një parti demokratike e vërtetë. Shqipëria ka nevojë për një parti opozitare, e cila, si një parti e vërtetë demokratike, të mund të konkurrojë në zgjedhje demokratike dhe—nëse fiton—të mund ta drejtojë këtë vend në mënyrë demokratike.
Partia Demokratike që shohim sot në Shqipëri nuk ka se si të jetë realisht një parti demokratike sa kohë që ajo pranon të mbahet peng nga një individ i vetëm, nga Sali Berisha. Nëse është e diskutueshme—dhe tepër e dyshimtë—që Partinë Demokratike e ka themeluar Sali Berisha, nuk ka asnjë dyshim se këtë parti e ka penguar dhe po e pengon të sillet si një parti e vërtetë demokratike pikërisht Sali Berisha.
Një varg pyetjesh kërkojnë përgjigje:
Si është e mundur që këtë realitet të mos e kuptojnë ata dhjetëra mijë qytetarë të këtij vendi që e besojnë Partinë Demokratike dhe votojnë për të?
Si është e mundur që një njeri i vetëm, me të cilin pjesën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë nuk e lidh asgjë—dhe prej të cilit ata janë zhgënjyer e tradhëtuar shumë herë—të vazhdojnë t’i mbajnë sytë nga ai?!
Si është e mundur që mijëra aktivistë të sinqertë e të ndershëm të Partisë Demokratike, qindra anëtarë të forumeve drejtues të kësaj partie dhe qindra njerëz të tjerë që veten e quajnë intelektualë, t’i qëndrojnë besnikë, në një mënyrë gati tribale, një njeriu që i ka sjellë kaq të këqija këtij vendi dhe vazhdon ta pengojë përparimin e tij?
Si është e mundur që themi—shumë here, madje, me mburrje—se jemi populli më proamerikan në botë dhe, në të njëjtën kohë, shumë demokratë shqiptarë “proamerikanë” vazhdojnë t’i shkojnë pas bajraktarit të tyre Sali Berisha?!
Çfarë u ka bërë Berisha atyre njerëzve që e ndjekin pas, sa që, edhe kur Amerika u thotë se nuk e do atë njeri, se ai njeri i ka sjellë dëme të mëdha vendit të tyre, ata vazhdojnë të jenë me të. A janë këta njerëz trushpëlarë e të verbuar nga demagogjia e Berishës?
A shpreh qëndrimi i tyre sentimente antiamerikanë? A është “luajaliteti” i tyre tribal ndaj Berishës një zgjedhje mes tij dhe Amerikës?
Sot, nuk mund të thuash se i çmon Amerikën dhe gjithçka ai vend i madh ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë shekullit të fundit, as se e do demokracinë amerikane dhe, përsëri, të duash Sali Berishën, njeriun që, për fatin e keq të të gjithëve ne, ka qenë një “fatkeqësi kombëtare”./Botuar në DITA