Nga Alfred Peza/ Edi Rama kishte premtuar që në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, që e riktheu PS në pushtet, se nuk do të ishte një Kryeministër që do priste shirita për çdo punë të projektuar, të saponisur, apo të deklaruara si të përfunduara. Pas 8 vitesh ai vijon të udhëtojë pa u ndalur në të katër anët e Shqipërisë jo për të prerë shirita, por për ti çuar përpara punët e çdo kantieri të punëve publike dhe duke promovuar modelet pozitive të qytetarëve që ia kanë dalë, me apo pa ndihmën e qeverisë.

Ky është një model i ri lidershipi, i ndryshëm nga steriotipi ynë historik, që bazohej tek demagogjia e mitingjeve dhe propoganda e takimeve pompoze përballë turmave e sallave. Vendin e tyre e ka zënë lartësimi në terren, i veprave të individividëve e familjeve që kanë ndryshuar jetën e tyre, duke u shndërruar në modele për komunitetin. Ky lloj i ri komunikimi me shqiptarët, është i harmonizuar me mënyrën e tyre të re të jetesës përmes komunikimit virtual, mediave të reja online dhe rrjeteve sociale.

Çdo shqiptar duket sikur është bërë kësisoj pjesë e një loje, ku gjithkush që ka interes, e di me saktësi se ku e kush po bën çfarë! Kjo qasje përmes shembujve që promovohen çdo ditë, javë, muaj e vit kanë nisur të japi rezultat. Para shumë vitesh ishte gati e pamundur të gjeje në media, histori shqiptare suksesi që ia kanë dalë përmes punës së vet, sipërmarrjes së lirë dhe mbështetjes së qeverisë. Ndërsa tani, duket sikur jemi në një garë të pashpallur, rreth historive frymëzuese.

Shqiptarët po shohin përmes tyre gjithmonë e më shpesh sesi po lulëzon një sipërmarrje e re, një fermë, një punishte, një serë, një vreshtë, një kantier, një fabrikë, një biznes familjar, një vepër publike apo projekt komunitar, me standarde nga ato që deri dje i kemi hasur vetëm në botën e qytetëruar.

Kjo mënyrë e promovimit të vlerave të reja, ka nxitur krijimin e shumë e shumë të tjerave, duke u përhapur kudo. Edhe në qytet, edhe në fshat. Edhe në zonat urbane, edhe ato rurale. Edhe në zonat më të thella, edhe në bregdet. E siç thoshte John Quincy Adam këtu e 200 vjet më parë, “nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të bëhen më shumë, atëherë je lider”.

Përtej qarjeve me lotë krokodili, përtej korit të sorrave anonime, përtej këngës së sirenave që u këndohet në vesh njerëzve nga profesionistët e propogandës së zezë, kush ka sy në ballë për të parë e veshë për të dëgjuar e kupton se pas 30 vjetësh vujatje, përpjekje, sakrificash dhe hallesh pafund, gjithmonë e më shumë shqiptarë po ia dalin. E sheh këtë kushdo në përditshmërinë e tij, kudo ku jeton e udhëton, sikundër e shohin mediat dhe turistët e huaj që vijnë në Shqipëri.

Pavarësisht nga kjo, e sigurtë është që gjithmonë do të ketë nga ata që nuk kanë për ti hequr kurrë syzet e zeza, për të parë dritën në fundin e tynelit. Disa të tjerë do vijojnë të ngushëllohen politikisht, duke bërtitur e shkruar sërisht në facebook: S’kemi bukë të hamë! Për ta vërtetuar këtë, mjafton të shohin postimet në rrjetet sociale të idhujve të tyre publikë, teksa u hipin e i zbresin avionëve nëpër botë apo kur pushojnë plazheve dhe resorteve më të shtrenjta turistike të vendit.

Shqiptarëve u kanë rënë veshët rehat pak më herët këtë verë, për shkak se zgjedhjet përfunduan në prill e për rrjedhojë edhe sezoni televiziv, u mbyll më shpejt se vitet e shkuara. Ndaj sherret politike i kanë lënë vendin etheve të garës, se kush e kush të iki sa më parë, larg të nxehtit përvëlues të Tiranës. Kjo ndihmoi për ta kuptuar më mirë se halli personal i liderëve të elitës së vjetër politike të Tiranës, që po dridhen nga lista e zezë e SHBA dhe SPAK, nuk është hall kombëtar!

Shtatori vjen shpejt dhe bashkë me të, rinis jo vetëm sezoni i ri politik, parlamentar dhe mediatik, por edhe avazi i vjetër i këngës së qyqeve. Sigurisht që katër vitet e mandatit të ri qeverisës, nuk do të jenë kaq rozë, sa ky model që po përpiqet të evidentojë ky shkrim. Çfarëdo që të ndodhë deri në 2025, e sigurtë është se planet diabolike që opozita nuk i realizoi dot gjatë mandatit të shkuar, nuk do ti përmbushë dot kurrë!

Në fjalimin e fitores së mandatit të tretë në Sheshin “Skënderbej”, Edi Rama tha se “opozita jonë e vetme është PD dhe fitorja jonë e madhe, e qartë dhe e thellë, nuk na e bën më të vogël, por më të madh, detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim, apo kufizim. Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve”.

Pyetja e vetme që pret përgjigje, është: A do të ngrihet edhe Lulzim Basha, në lartësinë e përgjegjësisë së tij politike, pavarësisht fatit individual të Sali Berishës e Ilir Metës? Apo do të vijojë të zbarritet si deri më sot? Ky model lidershipi rezultoi humbës, sepse u ndëshkua me votë. Ndërkohë që gjithkush e ka të hapur tashmë, rrugën drejt përqafimit të modelit të ri, fitues!