Kampionatit Europian i kanë mbetur edhe vetëm tre ndeshje. Dy gjysmëfinalet dhe finalja që do të luhen të gjitha në “Wembley” të Londrës. Me mbarimin e çerekfinaleve tashmë janë përcaktuar edhe dy çiftet gjysmëfinaliste të Euro 2020.
Itali-Spanjë është gjysmëfinalja e parë e turneut që do të luhet të martën më 6 korrik në orën 21:00 në “Wembley” ndërsa të mërkurën më 7 korrik po në mbrëmje Anglia pret Danimarkën në kërkim të biletës për finalen e madhe të së dielës. Italia vjen në gjysmëfinale pas 5 fitoreve radhazi dhe 11 golave të shënuar ku në raundin me eliminim direkt mposhti Austrinë e mbi të gjitha Belgjikën.
Spanja është ekipi që ka shënuar më shumë në Europian me 12 gola por në 1/8 dhe në çerekfinale i janë dashur kohët shtesë dhe penalltitë për të eliminuar Kroacinë e Zvicrën. Sa i takon gjysmëfinales tjetër Anglia shihet si favorite pasi luan në shtëpinë e saj dhe ekipi nuk ka pësuar asnjë gol në 5 ndeshje e mbi të gjitha “shpërtheu” kapiteni Harry Kane me dygolësh ndaj Ukrainës.
Përveç fazës së grupeve që e mbylli në vend të parë Anglia eliminoi edhe Gjermaninë. Danimarka vijon të ëndërrojë. Danezët e nisën Euro 2020 me dy humbje por më pas njohin tre fitore dhe kanë eliminuar Uellsin e Çekinë. 4 ekipe të mbetura në garë në “luftë” për trofeun. 3 sfidat e fundit të Euro 2020 premtojnë spektakël.