Emri i një shqiptari përfundoi në faqet e gazetës finlandeze “Helsingin Sanomat”, për një akt të cilësuar si “heroik”. Një zjarr i madh shpërtheu në Minttutie duke shkatërruar tërësisht një shtëpi. Shqiptari Mërgim Halili, i cili jetonte në të njëjtën lagje, nuk është menduar dy herë por pavarësisht rrezikut, ka hyrë brenda e ka ndihmuar një cift të moshuar të largoheshin prej banesës në flakë. Halili është ndihmuar edhe nga partnerja e tij. Sipas tij, të moshuarit vetë nuk e kishin kuptuar se cfarë po ndodhte.
Pavarësisht kësaj, të rinjtë arritën ti nxjerrin nga aty, ndërsa kalimtarë të tjerë goditën në dyer e dritare për tu siguruar që nuk kishte më asnjeri brenda. Banorët e lagjes thanë se ofruan ndihmë për personat që ndodheshin në shtëpi para se të arrinin zjarrfikësit. Juha Virolainen nga Departamenti Qendror i Shpëtimit, e cituar dhe nga mediat në Kosovë, pohoi se shtëpia ishte përfshirë e gjitha nga flakët kur arritën zjarrfikësit.