Kryeministri Edi Rama i ka uruar sot suksese ekipit të kombëtares shqiptare që po merr pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio. Rama publikoi foto nga fshati olimpik në Tokyo, Japoni, aty ku valëvitet edhe flamuri i bukur kuqezi. “Fshati olimpik në Tokyo, Japoni, aty ku valëvitet edhe flamuri i bukur kuqezi. Suksese Shqipëri”, u shpreh kryeministri.

Lojërat e XXXII Olimpike Verore mbahen në Tokio të Japonisë, prej 23 korrik – 8 gusht të vitit 2021. Lojërat Olimpike Tokio 2020 ishin paraparë të mbahen në verën e vitit 2020, por shkaku i pandemisë COVID-19 u shtynë për vitin 2021. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi që përkundër shtyrjes për një vit, Lojërat Olimpike të vazhdojnë të quhen “Tokio 2020”.

Sportistët shqiptarë që do të garojnë në lojërat olimpike janë Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Izmir Smajlaj, Nikol Merizaj, Kledi Kadiu, Manuela Delilaj, Indrit Cullhaj, Matvei Petrov. Kryeministri Edi Rama i dorëzoi katër ditë me parë flamurin ekipit kombëtar të cilët do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio.