Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh sot se ka ardhur koha për një ndryshim në mënyrën e qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor. Xhaçka, gjatë fjalës në panelin “Ndërtimi i Besimit Përmes Dialogut” që u zhvillua në Maqedoninë e Veriut, tha se, “rajoni ynë ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm falë ëndrrës së përbashkët europiane dhe falë mbështetjes së BE. Por, siç tregoi edhe Këshilli i 22 qershorit, BE sot nuk ka një qasje strategjike ndaj rajonit, çka shpresojmë që do të ndryshojë pas dështimit për t’i dhënë Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare”.
“Por kjo s’është thjesht një çështje e BE-së. Edhe ne vetë duhet të punojmë më shumë për të rritur rëndësinë strategjike të rajonit tonë dhe për të pasur një qasje më proaktive ndaj integrimit, jo duke pritur vetëm nga BE, por duke punuar edhe ne, në nivel rajonal për të ndërtuar Europën në rajonin tonë e për të krijuar një hapësirë të përbashkët mundësish”, u shpreh ministrja në fjalën e saj.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Konferencën e parë Ndërkombëtare organizuar në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në ditën e parë të Forumit të Prespës për Dialog morën pjesë kryediplomatë të rajonit si dhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer.