Autoriteti i Lartë francez për Shëndetin (HAS) ka miratuar përdorimin e vaksinës antiCOVID-19 Moderna për fëmijët 12-17-vjeçarët, që bëhet kështu vaksina e dytë që administrohet në këtë grupmoshë. “Në kontekstin e një qarkullimi të fortë të variantit Delta, HAS konfirmon integrimin e vaksinës Moderna në strategjinë e vaksinës, e shtrirë tek adoleshentët që nga mesi i qershorit, pas një autorizimi të parë dhënë Pfizer-it”, tha organi publik i pavarur, në një njoftim për shtyp.
Autoriteti ka rekomanduar vaksinimin nga mosha 12 vjeç, “kryesisht te adoleshentët me sëmundje bashkëshoqëruese ose që i përkasin familjes së një personi me imunitet të kompromentuar” dhe “tek adoleshentët pa sëmundje bashkëshoqëruese, në mënyrë që të zvogëlojë qarkullimin viral, të normalizojë jetën e tyre shoqërore dhe të ruajë aksesin e tyre në arsim”.
Ai tha se ishte bazuar në një studim klinik amerikan, që tregonte “një efikasitet vaksine te adoleshentët prej 93,3% në rastet e COVID-19”. HAS vuri në dukje, gjithashtu, se kishte marrë në konsideratë “të dhënat ndërkombëtare të jetesës reale dhe farmakovigjilencën” nga agjensitë e ndryshme të sigurisë, përfshirë Agjensinë Kombëtare të Sigurisë së Barnave (ANSM) dhe Agjensinë Evropiane të Mjekimeve, që arritën në përfundimin se “Përfitimet tejkalojnë rreziqet tek adoleshentët 12 deri në 17 vjeç, veçanërisht te ata në rrezik nga forma e rëndë e COVID-19”.