Kryeministri Edi Rama këtë të martë ka qenë në Fier në stacionin ultramodern të Gazsjellësit TransAdriatik ku ka marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit.

Kreu i qeverisë në fjalën e tij është shprehur se ky është një ndër projektet më të rëndësishme për ta shndërruar vendin në një hapësirë burimesh të ndryshme të larmishme të prodhimit të energjisë.

Ndër të tjera ai ka bërë me dije se TAP është një burim i sigurtë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendi tonë.

“Sot është një nga shumë stacionet e një rrugëtimi që vijon, për ta kthyer vendin në një eksportues neto të energjisë, dhe në të njëjtën kohë për ta bërë atë një hapësirë burimesh të ndryshme të larmishme të prodhimit të energjisë, duke futur më në fund dhe një komponent tjetër të rrjedhës ekonomike dhe sociale të vendit siç është gazi. Ne jemi besimplotë se tashmë është vetëm çështje vullneti, pune dhe durimi të madh për tu përmbushur një vizion që nuk është më një dëshirë apo aspiratë e mbështetur në një ëndërr por horizont i arritshëm mbi baza të vendosura.

Edhe procesi i nisur i ndërveprimit për të siguruar në bashkëpunim të vazhdueshëm me kompani të mëdha Amerikane, është një tregues i faktit se TAP nuk është thjesht rrugëkalimi gazi për anën tjetër të Adriatikut, por i një zhvillimi transformues i dekadës ku jemi. Shpreh konsideratën më të lartë për të gjithë ato që janë përfshirë në këtë projekt dhe mbi të gjitha shqiptarët që janë pjesë e këtij projekti”, ka thënë ai.