Në Gjermani ekziston sërish shqetësimi se pushuesit do të sjellin koronavirus kur të kthehen. Sipas kryeministrit bavarez Söder, qeveria federale do që të marrë së shpejti masa.Brenda vetëm pak ditësh mund të shtrëngohen masat lidhur me testin ndaj virusit Corona për personat që kthehen në Gjermani nga udhëtimet jashtë vendit. Sipas kryeministrit bavarez Markus Söder, qeveria federale planifikon të prezantojë një kërkesë për testime para kthimit në vend. Testimi duhet të aplikohet jo vetëm për udhëtarët me avion, por edhe për ata që udhëtojnë me makinë, me tren ose me autobus.
Sipas Söder, të gjithë që kthehen duhet të kenë një test negativ kur të mbërrijnë në vend. Söder i tha televizionit të parë gjerman ARD: “Qeveria federale na ka siguruar sot se do të provojë gjithçka që është e mundur, që deri më 1 gusht të aplikohet detyrimi i përgjithshëm i testit negativ jo vetëm për udhëtimet ajrore, por edhe për shembull, për udhëtime me makina ose trena“.
Söder tha se data e planifikuar fillimisht për futjen e këtij rregulli, pra me 11 shtator, duket si “një shaka”, sepse ky vendim do të ishte i vonuar pasi deri atëherë kalojnë të gjitha pushimet. Politikani i CSU-së tha se për këto vendime do të krijohen edhe bazat juridike ligjore dhe se kjo mund të arrihet deri më 1 gusht. Rregullorja e re është e thjeshtë: “Të gjithë kanë nevojë për një test“. Kërkesa për futjen e testeve është mbështetur nga disa kryeministra të landeve të tjera, ndërsa ende nuk është vendosur si do te veprohet me te vaksinuarit.