Qeveria gjermane ka në plan të ndryshojë udhëzimet e saj të udhëtimit dhe të heqë kategorinë “zonë rreziku”, njoftuan burime pranë qeverisë.
Sipas këtij ndryshimi do të ekzistojnë dy kategori rreziku për udhëtimet, nga tre që janë aktualisht.
Vendet do të identifikohen si zona ku ka një “incidencë të lartë” të rasteve dhe zona ku ka “variante të virusit”.
Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në fillim të gushtit, pas koordinimit midis ministrive dhe landeve.
Gjithashtu, rregullorja e re në diskutim do të kërkojë që çdo person që hyn në vend nga jashtë të jetë i vaksinuar plotësisht, të ketë kaluar COVID-19 ose të testohet dhe të jetë në gjendje t’i vërtetojë këto sipas kërkesës.
Në një ndryshim të mëtejshëm, personat që nuk janë të vaksinuar dhe hyjnë në vend nga një zonë e caktuar “incidencë e lartë” do të duhet të kalojnë 10 ditë në karantinë, me mundësinë e testimit falas pas pesë ditësh.
Ata që hyjnë nga zonat me “variante të virusit” nuk do të kenë mundësinë për ta përfunduar më shpejt se 10 ditë karantinën.
Ministria e Shëndetësisë ka promovuar vaksinimin si një mënyrë për t’i bërë udhëtimet më të drejtpërdrejta.