Florentino Perez është në qendër të vëmendjes pas skandalit që ka shpërthyer në Real Madrid. Nëse shkrimet dhe audiot e postuara nga gazeta e njohur spanjolle online “El Confidencial” do të gjejnë konfirmim, duke u konsideruar si audio autentike, atëherë do të ishte një goditje dhe një “bombë” që do të shpërthente tek Real Madridi dhe që do të lëshonte hije të rënda mbi figurën e presidentit, Florentino Perez.

Media spanjolle ka postuar një audio të Perezit, i cili denigron dy figura të mëdha të “Los Blancos”, dy ish-kapitenët, Iker Casillas dhe Raul Gonzales. “Casillas nuk është portier, është shumë i shkurtër, kurrë nuk ka qenë portier, ai është një dështim i madh, nuk e di pse e duan njerëzit dhe e mbrojnë kaq shumë. Ai është një mbeturinë, po ashtu si Rauli”, tha Perez, fjalë vërtet të rënda, që, nëse konfirmohen, do të ndikonin tej mase qasjen e tifozëve “merengues” kundrejt presidentit të tyre.

Perez nuk është ndalur me kaq, duke zbuluar se Raul Gonzales, i cili aktualisht është trajneri i Real Madrid Castilla, është një nga arsyet se përse u tërhoq nga roli i presidentit në vitin 2006. “Ai beson që Real Madridi është i tiji, e ka shkatërruar ekipin dhe prej tij dhashë dorëheqjen në 2006-n”.

Vërtet deklarata të rënda nga ana e Perez ndaj figurave të mëdha të Realit.

Ai kishte folur edhe për Ronaldon, “Fenomenin”, duke e cilësuar si një njeri që flet shumë, kurse Zinedine Zidanin e David Beckhamin i kishte quajtur dy “xhaxhallarë” të shkëlqyer. Perez është vërtet në presion pas deklaratave të tilla, që mund të pasojnë edhe me largim nga klubi.