Gushti do të jetë muaji i vaksinimit masiv për çdo qytetar mbi 18 vjeç. Sipas ekspertëve, mënyra më e mirë për të mundur variantin Delta, i cili ka sjellë edhe rritjen e rasteve me COVID në vendin tonë dhe në të gjithë botën, është vaksinimi.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se do të vazhdojë vaksinimi i hapur masiv. Me një postim në Facebook, Manastirliu njofton se i gjithë muaji gusht do të jetë për vaksinimin masiv të çdo qytetari mbi 18-vjeç. Studentë, të rinj dhe kushdo që akoma nuk është vaksinuar duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për tu vaksinuar.
Manastirliu shpjegon se procedura është shumë e thjeshtë, mjafton që me kartën e identitet të paraqiteni në qendrën më të afërt të vaksinimit. Ministrja e Shëndetësisë bën me dije se për ata që e kanë të pamundur të shkojnë në qendrat e vaksinimit, do të vaksinohen nga ekipet e vaksinimit që janë në terren për vaksinimin derë më derë.