Qeveria holandeze njoftoi sot anulimin deri më 1 shtator të të gjitha ngjarjeve dhe festivaleve me kohëzgjatje më shumë se 24 orë, për të shmangur shtimin e mëtejshëm të rasteve COVID-19. Edicionet e vitit 2021 të festivaleve të muzikës, të njohura ndërkombëtarisht, si Lowlands, Mysteryland dhe Down the Rabbit Hole, të planifikuara për në gusht, janë anuluar. “Për fat të keq, nuk është e arsyeshme të lejojmë që këto ngjarje të vazhdojnë”, tha kryeministri Mark Rutte, në një konferencë shtypi në Hagë. “Vendimi u mor në konsultim me sektorin e ngjarjeve”, shtoi Rutte.
Qeveria beson se testimi i vizitorëve çdo 24 orë gjatë një festivali do të ishte logjistikisht shumë i ndërlikuar për t’u organizuar. Ngjarjet që zgjasnin më shumë se 24 orë ishin pezulluar deri më 13 gusht, por u vendos që ndalimi i tyre të zgjatet deri në fund të verës.
Qeveria ka njoftuar, gjithashtu, një lehtësim të kufizimeve të udhëtimit, si shumica e vendeve në Bashkimin Evropian. Holanda nuk do të këshillojë më kundër udhëtimit brenda BE-së, nga e marta.